“Ishulli i zi” i bandës, vendoset fati i dy shqiptarëve

schedule23:18 - 27 Maj, 2019

schedule 23:18 - 27 Maj, 2019

Gjykata e Apelit në Crotone të Italisë ka dhënë dënimin për një grup kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, pjesë e së cilës ishin edhe dy shqiptarë. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, gjykata ka dhënë dënime nga 2 deri në 5 vjet burg për 11 të arrestuarit.

Kështu Betim Xeka, i cili gjithashtu kishte rol drejtues në grupin e drogës, u dënua me 5 vjet dhe 4 muaj burg si dhe 20 mijë euro gjobë, ndërsa Sabri Disha u dënua me 3 vjet burg dhe 12 mijë euro gjobë.

Në Shkallën e Parë, shqiptarët kishin marrë një dënim më të rëndë, me Xekën që duhej të vuante 8 vjet burg dhe 30 mijë euro gjobë, ndërsa Disha 6 vjet burg dhe 20 mijë euro gjobë.

Arrestimi i tyre dhe italianëve Domenico Dolce, Giovanni Martino, Giulio Buvva, Domenico Longo, Enzo Costantino, Cosimo Passalacqua, Antonio Lequoque, Santo Vittimberga dhe Santino Mirarchi, u krye më 20 Prill 2017 gjatë një operacioni të koduar “Ishulli i zi” (Black Island).

Por si ranë në gjurmët e grupit kriminal autoritetet italiane?

Siç shkruajnë mediat, në qendër të hetimeve ishte vënë shqiptari Betim Xeka. Sipas hetuesve, ai kishte rol kryesor në grup për sa i përkiste përgatitjes, fshehjes dhe dhënies së heroinës palëve të treta.

Xeka banonte në Isola di Capo Rizzuto. Ai merrte sasi të mëdha droge nga Vittimbera, megjithatë tregohej i kujdesshëm dhe e fshihte në disa zona të izoluara, duke i shpëtuar gjithmonë policisë.

Pikërisht këto sasi të mëdha heroine që Xeka arrinte të siguronte e bënë që të kishte raporte të mira me Costantino, Mirarchi dhe Passalacqua, të cilët ishin aktivë në qendër të Catanzaro-s.

Ata furnizoheshin nga shqiptari dhe më pas lëndën narkotike e shisnin në zonat më të rëndësishme të Kalabrisë. Ndërkohë Domenico Dolce, në emër të Xekës, merrej me klientët në Crotone.

Gjatë gjithë hetimeve u konfiskuan gjithsej rreth 3 kilogramë heroinë, 1 kilogramë marijuanë dhe një mitraloz që u gjet në zonën, ku banonte shqiptari Betim Xeka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!