Nga Xhensila Kodra
Një sasi tritoli shpërtheu mëngjesin e sotëm në kryeqytet, në rrugën “Siri Kodra”. Lënda plasëse u vendos në godinën dy katëshe në pronësi të avokatit 60 vjeçar, Remzi Ponari.
Objekti që shpërtheu lënda plasëse ishte dhënë me qira. Në saj të hetimeve të policisë ka rezultuar se pronari ka disa probleme për pronësinë e godinës. Ndërsa personi që ka marrë katin e parë me qira ka konflikte për shkak të borxheve.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori, një djalë rreth 20 vjeç afrohet në këmbë dhe hedh pranë biznesit lëndën plasëse. Efektivë të komisariatit nr. 4 janë duke punuar për të identifikuar autorin dhe vënien e tij në pranga.
ABC mëson se gjatë një muaji, godina dy katëshe është sulmuar tre herë po nga i njëjti person. Herën e parë, ai është afruar me një mjet Mercedes Benz dhe herën e dytë me biçikletë dhe hedh shashka pranë godinës dy katëshe.
Grupi hetimor dyshon se lënda plasëse është vendosur në formë kërcënimi. /abcnews.al