Rohani propozon mbajtjen e referendumit për programin bërthamor

schedule12:20 - 27 Maj, 2019

schedule 12:20 - 27 Maj, 2019

Presidenti Iranian Rohani ka propozuar një referendum për të vendosur për vazhdimësinë e programit bërthamor. Vendimi vjen në një situatë shumë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Presidenti Iranian Hasan Rohani propozoi mbajtjen e një referendum popullor për vazhdimin e aktiviteteve bërthamore të Teheran. Lajmi është konfirmuar nga agjencia iraniane e lajmeve Irna. Ai shpjegoi se në vitin 2004 ia kishte kërkuar një gjë të tillë Ajatollah Kameneit, i cili kishte rënë dakord. Por me zgjedhjen e Mahmud Ahmadinexhad si president, gjërat morën një rrugë tjetër. Rohani theksoi se lufta ekonomike duhet të përfundonte sa më parë sepse të gjitha pasojat i vuan populli.

Vendimi vjen në një moment tensionesh të forta mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi presidenti amerikan Tramp u tërhoq nga marrëveshja për programin bërthamor.

Një votim i mundshëm do i jepte mbështetje politike regjimit Iranian nëse do të vendoste të shtonte pasurimin e uraniumit përtej pragut të lejuar nga marrëveshja e firmosur në vitin 2015 me fuqitë botërore e që më pas u braktis nga SHBA. Tensionet në rritje mes Teheranit dhe Uashingtonit – i cili ka vendosur sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit – kanë shtyrë kreun e Shtëpisë së Bardhë të vendosë në rajon një avion mbajtëse, raketa Patriot dhe bombardierë B-52.  Rohani, gjatë një takimi me mediat, iu refereua artikullit 59 të kushtetutës së vendit, i cili parashikon mundësinë e mbajtjes së një referendum popullor për çështje jetësore për vendin. Sipas presidentit Iranian kjo është një mënyrë për të nxjerrë vendin nga bllokada.

Ditët e fundit Kamenei kritikoi publikisht Rohanin dhe ministrin e jashtëm Zarif, të cilët kërkuan me këmbëngulje arritjen e marrëveshjes në vitin 2015, nga e cila Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën vitin e kaluar. /ABC News Albania 24/7