Incidenti në Gramsh, Berisha: Kërcënimi më i madh nga Edi Rama, agjent i Kremlinit në Tiranë

schedule12:17 - 22 Gusht, 2022

schedule 12:17 - 22 Gusht, 2022

“Kërcënimin më të madh të sigurisë kombëtare e ka bërë Edi Rama”. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, pasi reagoi për incidentin në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh, ku dy shtetas rus dhe një ukrainas tentuan të futen brenda, ndërsa ndaj tyre janë ngritur akuzat e spiunazhit.

Në një konferencë për shtyp në selinë blu, Berisha theksoi se kërcënimi më i madh në këto vite për sigurinë e vendit ka ardhur nga Edi Rama. Ish-kryeministri drejtoi gishtin nga kreu i qeverisë për publikimin e të dhënave për anëtarët e SHISH.

“Përdorimi i lëndëve neuroparalizues kundër ushtarëve kompromenton thellësisht misionin e tyre turistik. Sot jam këtu për të deklaruar se kërcënimin më të madh në këto vite ndaj sigurisë kombëtare me akte madhore e ka bërë personalisht Edi Rama.

Po ju rikujtoj se pesë vite më parë në një mënyrë të pashembullt në historinë e një vendi të mirë apo jo, mediat shqiptare publikuan të gjithë organigramën e shërbimit informativ Shtetëror. Ato publikuan dhe rrogat e tyre, duke ekspozuar kështu këtë shërbim ndaj të gjitha shërbimeve të tjera jo miqësore. Këtë e ka bërë Edi Rama sepse askush tjetër përveç kryeministrit që firmos çdo vit strukturën e SHISH ka të drejtë të njihet me të, apo ta kërkojë.

Kjo rrjedhje një goditje tmerrësisht e rëndë për shërbimin u bë nga ministria e Financave, çka e bën atë përgjegjëse direkte. Por natyrisht kjo ministri nuk mund të kishte kurrë organigramën e këtij shërbimi”, tha ish-kryeministri.

Berisha u ndal më tej te “Ballkani i Hapur”, duke e quajtur nismë serbo-ruse që mbështet nga kryeministri Edi Rama. Berisha e akuzoi Raman si “agjent të Kremlinit në Tiranë”.

“Sot ka një konfrontim midis NATO, BE dhe Rusisë së Putinit. Sot sikundër edhe më parë shërbimet serbe dhe ruse janë nën sintoni të plotë, në bashkëpunim të ngushtë, për ata të cilët vënë në dyshim po ju rikujtoj deklaratën e Vuçiç. Gjatë vizitës në Uashington tha se shërbimet më kishin njohur dhe këtu ishte fjala për shërbimet ruse me tekstin e marrëveshjes që do të na servirej. Putini i madh dhe i vogël janë një unitet ndoshta përjetësisht i pazgjidhshëm.

Ka një projekt tjetër madhor për Ballkanin, serbo rus dhe ky është “Ballkani i Hpaur”. Shqiptarët e dinë që ky projekt u mbështet para dy muajve nga ministri i jashtëm rus Lavrov.

Edi Rama po vepron si agjent i Kremlinit në Tiranë me projektin e Ballkanit të Hapur. Refuzimi i tij i prerë për bllokimin e vizave për turistët rusë është edhe kjo një problem i veçantë”, tha ai. g.v/abcnews.al