4 procese zgjedhore në Greqi, shqiptarë në listat e kandidatëve

schedule16:45 - 26 Maj, 2019

schedule 16:45 - 26 Maj, 2019

Në Greqi krahas zgjedhjeve për Parlamentin Europian po votohet edhe për pushtetin lokal. Në të dyja proceset ajo që bie në sy është prania e disa dhjetëra kandidatëve shqiptarë në listat e votimit, ndërkohë që shqiptarët me të drejtë vote janë rreth 100 mijë.

Greqia po voton sot për Parlamentin Europian, por edhe për pushtetin lokal. Për komunitetin shqiptar në Greqi këto zgjedhje konsiderohen si një moment mjaft i rëndësishëm, për faktin se me listat e partive kandidojnë shumë shqiptarë.

 “Rreth 10 milionë qytetarë grekë votojnë në zgjedhjet e sotme, që këtu janë të katërfishta: për Parlamentin Evropian, administratat rajonale, bashkitë e në mjaft zona, edhe për komunat. Në më shumë se 39.000 qendrat e votimit, procesi ka filluar normalisht në ora 07,00 të mëngjesit të sotëm”.

Sipas ministrisë së brendshme, në disa qendra votimi pati vonesa në paraqitjen e komisionerëve, por ky konsiderohet një fenomen i zakonshëm.

 “Zgjedhjet e sotme konsiderohen një moment krucial për komunitetin shqiptar në Greqi. Janë më shumë se 30 kandidatë shqiptarë, që kandidojnë në lista të partive dhe koalicioneve vendore, duke pretenduar një vend në parlamentin evropian, në këshillat bashkiakë apo këshillat e administratave rajonale. Përfshirja e tyre shpjegohet me faktin se më shumë se 100 mijë qytetarë shqiptarë që morën vitet e fundit nënshtetësinë greke, ushtrojnë sot për herë të parë këtu, të drejtën e votës”.

Kutitë e votimit do të mbyllen në ora 19,00 dhe menjëherë do të publikohen rezultatet e exit poll-sit të përbashkët që kanë marrë përsipër 5 televizione private. Ndërkaq, një parashikim i saktë i rezultatit do të mund të publikohet rreth orës 22 të mbrëmjes./ABC News Albania 24/7