Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka thënë se është “shumë i shqetësuar” për luftimet pranë uzinës bërthamore të Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.
Deklarata e tij u bë gjatë një samiti me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderin turk Rexhep Tajip Erdogan në Lviv.
“Çdo dëm i mundshëm në Zaporizhzhia është vetëvrasje”, paralajmëroi Guterres.
Ky ishte takimi i parë i Zelenskyt dhe Guterres që prej muajit prill, raporton BBC.
Ndërkohë presidenti turk i bëri jehonë shqetësimeve të shefit të OKB-së, duke u thënë gazetarëve se edhe ai është i shqetësuar për rrezikun e “një tjetër katastrofe si ajo e Çernobilit” .
Javët e fundit zona përreth centralit, të cilin Rusia e mori nën kontroll në mars, është vënë nën shënjestrën e artilerive të rënda ruse.
Ndërkohë Kievi dhe Moska fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet dhe dëmet që po shkaktohen në një nga centralet bërthamore më të mëdha të Europës.
Përpara takimit të së enjtes, Zelensky kritikoi sulmet “e qëllimshme” ruse në termocentral.
Moska akuzohet se e ka kthyer objektin në një bazë ushtarake, me të tre liderët që u kanë kërkuar rusëve të çmilitarizojnë zonën sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë, burime lokale në Krimenë të pushtuar nga Rusia raportuan për një numër shpërthimesh të mëdha pranë aeroportit ushtarak Belbek./Abcnews.al/