EMRI/ 51-vjeçari nga Laçi mbërrin i vdekur në spital, policia jep detajet

schedule21:35 - 18 Gusht, 2022

schedule 21:35 - 18 Gusht, 2022

Një person që mbërriti i vdekur në spital ka ngritur në këmbë policinë e qytetit. Ylli Tafili, 51 vjeç nga Shullazi i Kurbinit u dërgua nga familjarët me urgjencë në spital, por në momentin e mbërritjes mjekët kanë konstatuar se ai nuk kishte shenja jete.

Sipas “uniformave blu”, dyshohet se 51-vjeçari ka rënë në një kanal kullues pranë banesës së tij, prej ku është nxjerrë nga të afërmit dhe është dërguar në banesë për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në një njoftim paraprak mbi ngjarjen, policia bën të ditur se 51-vjeçari dyshohet të ketë humbur jetën si pasojë e infarktit. Ndërkaq, trupi do të dërgohet në morgun e IML Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Policia gjithashtu ka shoqëruar për t’i marrë në pyetje, të gjithë personat që kanë qenë prezentë në momentin që ka rënë në kanal 51-vjeçari.

Njoftimi i plotë: 

Kurbin/Informacion paraprak

Në fshatin Shullaz, Kurbin, shtetasi Y. T., 51 vjeç, dyshohet se ka rënë në një kanal kullues pranë banesës së tij, prej ku është nxjerrë nga të afërmit dhe është dërguar në banesë për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në banesë, ai nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar në Spitalin Rajonal Kurbin për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ka humbur jetën. Paraprakisht, dyshohet se shtetasi Y. T. ka humbur jetën si pasojë e infarktit. Trupi i 51-vjeçarit do të dërgohet në morgun e IML Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar për t’i marrë në pyetje, të gjithë personat që kanë qenë prezentë në momentin që ka rënë në kanal 51-vjeçari.

/abcnews.al/