Identifikohen 2 viktimat e atentatit në Vlorë, 34 dhe 37-vjeçari vdiqën nga breshëria e kallashnikovit

schedule11:16 - 18 Gusht, 2022

schedule 11:16 - 18 Gusht, 2022

Identifikohen dy viktimat e atentatit në Vlorë.

Abc mëson se bëhet fjalë për Shpati Lenën, 37 vjeç dhe Hakim Xhezon, 34 vjeç.

Makina “Mercedes Benz C Class” me të cilin udhëtonin viktimat u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa ishte në ecje në autostradën Vlorë-Levan.

Dyshohet se autorët, të cilët lëviznin me një makinë tip “BMW” kanë qenë tre, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në rolin e shoferit.

Një makinë e djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve u gjet e djegur në Çerven të Fierit, pak minuta pas ngjarjes.

“Mjeti i gjendur i braktisur dhe i djegur, pas verifikimit rezulton të jetë me targa të huaja italiane”, bëri me dije policia.

Po sipas policisë, drejt viktimave është qëlluar me 3 armë zjarri kallashnikov dhe drejt tyre janë zbrazur 30 plumba.

Autorët i kanë ndjekur viktimat, të cilët lëviznin nga Vlora në drejtim të Fierit, derisa kanë dalë paralel me ta dhe i kanë qëlluar. Automjeti i viktimave më pas ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kanal.

Policia ndërkohë ka blinduar zonën dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve./Abcnews.al/