A është gati ushtria ukrainase për një kundërofensivë në Kherson

schedule15:31 - 16 Gusht, 2022

schedule 15:31 - 16 Gusht, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Luftërat e mëdha të shekullit të 20-të u fokusuan në kundërofensivë: zbarkimi i forcave aleate në Normandi; Sulmi i befasishëm i Douglas MacArthur në betejën e Inchon në luftën koreane; lëvizja e Norman Schwarzkopf, i cili “zhduku” forcat irakiane në Kuvajt.

Tani Ukraina, me një të pestën e territorit të saj në duart e Rusisë, shpreson t’i bashkohet kësaj liste. Por një operacion shumë i lavdëruar në provincën jugore të Khersonit duket se është mbivlerësuar dhe kjo mund të jetë e qëllimshme.

Për muaj të tërë zyrtarët ukrainas kanë lënë të kuptohet se një sulm në jug është i pashmangshëm. Në fund të korrikut, raketat amerikane Himars shkatërruan urën në qytetin Kherson për të izoluar forcat ruse në perëndim të lumit Dnieper, raporton abcnews.al.

Këto ishin “hapa serioze përgatitore” drejt çlirimit të qytetit, tha një zyrtar lokal. Sipas një përditësimi nga zyrtarët e inteligjencës britanike më 28 korrik, “kundërofensiva e Ukrainës në Kherson po merr vrull”.

Më 9 gusht, një sulm në bazën ajrore ruse Saky në Krime, përtej gamës së armëve të njohura të Ukrainës, u përshkrua nga zyrtarët ukrainas si fillimi i asaj ofensive. Khersoni do të çlirohet deri në fund të vitit, tha Dmytro Marchenko, një gjeneral ukrainas.

Këto pritshmëri të larta do të jenë të vështira të përmbushen.

Sulmet e sistemeve raketore HIMARS kanë zbutur mbrojtjen ruse, duke përfshirë ndalimin e artilerisë në vijat e para të frontit. Më 13 gusht Ukraina tha se kishte shkatërruar një urë mbi digën Nova Kakhovka. Por vetëm forcat e këmbësorisë kishin mundësinë të merrnin në kontroll territoret.

Sipas inteligjencës, forcat sulmuese kanë nevojë për 3 herë më shumë trupa për të fituar një pozicion të favorshëm në mënyrë që të mbrohen mirë, sidomos në zonat urbane.

Nëse Ukraina ka pasur ndonjëherë një avantazh të tillë, sot nuk e ka më.

Në javët e fundit Rusia, duke parashikuar një ofensivë në jug, ka tërhequr forcat nga Izyum në frontin lindor dhe ka përforcuar Kherson dhe rrethinat e tij. Refugjatët që u larguan së fundmi nga qyteti thonë se kanë parë shumë automjete dhe trupa të ushtrisë ruse, veçanërisht pranë Nova Kakhovka.

Konrad Muzyka i Rochan Consulting, një institut që studion luftën, tha se kishte 13 grupe taktike të batalioneve ruse (btgs) në një provincë në fund të korrikut (një btg zakonisht ka disa qindra trupa, megjithëse shumica janë pakësuar). Tani mund të jenë 25 deri në 30.

“Tani besojmë se këto mundësi nuk ekzistojnë më”, tha Muzyka. “Ukrainasit nuk kanë forca të mjaftueshme për t’u krahasuar me trupat rusë.”

Megjithëse Ukraina ka një grup të madh trupash, shumica e tyre janë rekrutë. Shumica e luftimeve janë kryer nga 5 brigada të ushtarëve më me përvojë dhe të aftë të Ukrainës.

Trajnimi i brigadave të reja do të marrë shumë kohë. Sulmi zakonisht kërkon më shumë municion sesa mbrojtje. Forcat sulmuese mund të shkaktojnë më shumë viktima.

“Që nga viti 1992, në stërvitjet tona në terren, ne nuk studiuam veprimet sulmuese”, tha Sergiy Grabskyi, një kolonel rezervë në ushtrinë e Ukrainës.

“Pas tetë viteve të luftës, forcat ukrainase kanë arritur rezultate të shkëlqyera në mbrojtje, por ato nuk kanë shumë përvojë ose pothuajse zero sulmet në shkallë të gjerë”.

Kundërsulmet e Ukrainës rreth Kharkiv në maj, megjithëse të suksesshme, ishin të vogla por shkaktuan shumë viktima.

Ushtria ruse ka pasur kohë për t’u përgatitur. Për muaj të tërë ata kanë hapur llogore në Kherson. Ata tashmë mund të jenë trajnuar, në rrugët që Ukraina do të përdorë për avancimin e trupave të saj.

“Nëse sulmi ukrainas duket si sulmi i Rusisë në Severodonetsk, ndoshta është një rrugë pa krye”, tha Chris Dougherty, një ish-zyrtar i Pentagonit, duke iu referuar një qyteti që Rusia pushtoi në qershor.

“Do t’i kushtojë shtrenjtë Ukrainës në numrin e ushtarëve dhe mjeteve dhe ka të ngjarë të jetë operacioni i fundit i madh ukrainas i vitit 2022.”

Dougherty tha se Ukraina duhet të marrë një qasje indirekte: izolimi i qytetit Kherson dhe përdorimi i forcave dhe artilerisë për të kapur në befasi linjat ruse do të shkatërronte mbrojtjen e Rusisë.

Sulmet e vazhdueshme partizane, si edhe sulmet e fundit në depot ruse të armëve dhe postet komanduese, sugjerojnë se kjo mund të jetë strategjia e vërtetë e Ukrainës.

Disa zyrtarë ukrainas thanë se janë të kënaqur të presin, ndërkohë që po rraskapitin forcat ruse me sulme të tilla.

“Ne duam të shmangim luftën në rrugë, sepse nuk duam të shkatërrojmë qytetin,” tha gjeneral Roman Kovalyov. “Ne duam t’i rrethojmë dhe t’i detyrojmë të tërhiqen. Ne duam t’i shtypim ato.”

Por ideja se një ofensivë tokësore është e pashmangshme ka disa avantazhe. Diçka e tillë rrit moralin mes civilëve që ndodhen në Khersonin e pushtuar por gjithashtu mban forcat ruse në avantazh.

Dhe kjo e detyron Rusinë të devijojë forcat nga rajoni lindor i Donbasit, gjë që dobëson sulmet e saj të vazhdueshme drejt qytetit të Slovyansk. Pretendimet e shumta dhe të ashpra për një kundërofensivë mund të jenë madje një mashtrim, duke tërhequr rusët drejt Khersonit dhe duke krijuar boshllëqe në linjën ruse që mund të shfrytëzohen diku tjetër.

Problemi për Ukrainën është se strategjitë e saj politike dhe ushtarake janë të tensionuara.

Volodymyr Zelensky është i etur t’u tregojë mbështetësve të tij perëndimorë se armët dhe municionet që ata kanë përdorur në Ukrainë po bëjnë ndryshimin dhe se vështirësitë ekonomike të luftës, siç është kriza e energjisë në Europë, nuk janë të kota.

Ushtria ruse po zëvendëson gjithashtu ushtarët e humbur me kalimin e kohës. Kjo, dhe terreni më i vështirë dhe me baltë në vjeshtë, mund ta bëjë më të vështirë ofensivën brenda disa muajve.

“Tani për tani, ne kemi një shans dhe një sërë mundësish,” tha koloneli Grabskyi, duke vënë në dukje se një levizja e trupave nga Zaporizhia drejt Detit Azov mund të shkëpusë të ashtuquajturën urë tokësore të Rusisë në Krime.

Rreziku është që kundër-ofensivat që dështojnë, do të ndikojnë edhe te morali i ushtarëve.

Por nëse sulmet ndodhin dhe dështojnë, zhgënjimi do të ishte edhe më i madh. Një ofensivë e nxitur nga konsideratat politike, në kundërshtim me realitetet ushtarake, do të ishte “një ide vërtet e keqe”, sipas një analisti ushtarak me përvojë, “por ne mund të mos jemi në gjendje të kontrollojmë se çfarë bëjnë ata dhe ku”.

Analisti foli edhe për situatën në  Severodonetsk, ku Zelensky hodhi poshtë këshillat ushtarake dhe këmbënguli që forcat e tij të armatosura të vazhdonin të mbronin qytetin.

“Ata mezi dolën të gjallë prej saj”, tha ai. Nëse Ukraina vendoset të ndërmarrë një kundërofensivë, sipas tij duhet të jetë metodike dhe me faza: tërheqja e Rusisë nga qyteti Kherson, por ndalimi në lumin Dnieper dhe avancimi në lindje vetëm kur situata të përmirësohet.

Tensioni mes imperativave politike dhe kalkulimeve ushtarake nuk është asgjë e re.

Në vitin 1942 Amerika dhe Bashkimi Sovjetik kërkonin që Aleatët të krijonim një front të dytë në Francë. Stalini shpresonte se kjo do të lehtësonte presionin në frontin lindor; Roosevelt nga ana tjetër kërkonte t’u tregonte amerikanëve se forcat e tij kishin përparuar.

Winston Churchill dhe disa gjeneralë amerikanë nuk ranë dakord, kryesisht me arsyetimin se ushtritë e tyre nuk ishin gati. Një bastisje e udhëhequr nga Kanadaja në Dieppe në verën e vitit 1942, në të cilën më shumë se gjysma e forcës pushtuese prej 6000 trupash u vra, u plagos ose u kap, u bë për arsye kryesisht politike.

Kjo në fakt nënvizoi rreziqet për t’u tërhequr herët. Dhe nga kjo Zelensky mund të mësojë shumë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!