Emigrantët shqiptarë kanë nisur kthimin drejt shtetit grek. Pranë pikës së kalimit kufitar Kakavijë ,gjatë ditës së sotme nuk janë shënuar radhë të gjata, krahasuar me fundjavën që sapo lamë pas.
Sipas statistikave gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet kësaj dogane në vendin tonë kanë hyrë 8065 shtetas, ndërsa janë larguar 4670 persona.
Referuar shifrave të gjithë muajit gusht në Shqipëri vetëm përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë rreth 81 mijë shtetas, ndërsa kanë dalë rreth 42 mijë.
Sa i takon numrit të sporteleve si nga pala greke ashtu edhe nga ajo shqiptare është punuar me tre të tillë, ndërsa situate më e ngarkuar ka qenë në oraret kur pranë kësaj dogane mbërrijnë linjat e autobusëve nga shumë qytete te vendit tonë, por që për fat të mirë procedurat kanë qenë të përshpejtuara edhe nga ana e doganës greke.
Gjatë këtyre ditëve mes dy palëve janë zhvilluar disa takime me qëllim marrjen e masave të përbashkëta për eliminimin e radhëve që mund të krijohen si pasojë e fluksit dhe kthimit të emigrantëve pranë vendeve të tyre të punës në shtetin Helen.
Pritet që fluksi më i lartë të regjistrohet gjatë ditëve në vijim e konkretisht në fundjavën e ardhshme.
Ndërkohë në Kapshticë vijon të mbetet i lartë fluksi i emigrantëve që vijnë nga Greqia përmes pikës doganore të Kapshticës.
Në 24 orët e fundit kanë hyrë nga kjo doganë 6630 shtetas dhe kanë dalë 4444 persona.
Pala shqiptare po punon me 5 sportele në hyrje dhe 2 në dalje duke bërë të mundur kalimin pa vonesë të udhëtarëve.
Ndërsa policia kufitare greke punon me 2 sportele.
Në Qafë Thanë, kanë hyrë 4487 dhe kanë dalë 3035 shtetas./abcnews.al/