Shtatlartë, nuk ka shumë që i ka mbushur 16 vjeç, por asgjë nuk e ndal të ëndërrojë. Adi Kurti është pjesë e Shqipërisë U17 dhe kjo është një krenari për të, e motivon dhe ndihem shumë mirë që nga një akademi si SH.S Pepa arrin të veshë fanellën kuqezi. Jo vetëm kaq, por pak muaj më parë ai u transferua te Sampdoria me drejtuesit e klubit të Serie A që i kanë ofruar një marrëveshje për të luajtur në radhët e skuadrës U-19. Pas disa javësh stërvitje me ekipin italian, ku nuk kanë munguar edhe disa thirrje nga skuadra e parë për ndeshje kontrolli, Kurti bëhet gati të debutojë në kampionatin kombëtar U-19 të Italisë këtë javë.
Sigurisht është vetëm në hapat e parë dhe do i duhet edhe pak kohë të aktivizohet në futbollin profesionist. Shembullin për ta ndjekur e ka dhe e tregon edhe në rubrikën “Talenti shqiptar” në “fshf.org”. Kurti rrëfen si nisi gjithçka për të, momentet emocionuese gjatë kualifikueseve të Europianit dhe lojtarin në gjurmët e të cilit do të donte të ecte.
– Adi, si ka nisur dashuria juaj për futbollin? Sa vjeç ishit kur topi u bë i pandashëm për ju dhe kush ju shtyu më shumë drejt këtij sporti?
– Dashuria ime për futbollin ka nisur që në moshën 6-vjeçare, duke parë në televizor futboll u dashurova me të. Ai që më shtyu që të nis të luaj futboll ishte babai im.
– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
– Personi që më këshillon më shumë në futboll është babi. Ai më ndjek në çdo ndeshje dhe më është gjendur pranë në çdo moment.
– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga rrugëtimi juaj në futboll?
– Momenti më i bukur në rrugëtimin tim në futboll ishte debutimi me Kombëtaren U17 në Europianin që u zhvillua në Irlandën e Veriut. Tjetër moment ulmor ishte transferimi te Sampdoria dy muaj më parë dhe grumbullimi me ekipin e parë të klubit në disa ndeshje kontrolli. Ka qenë vërtetë emocionuese të stërvitem apo të luaj ndeshje testuese me lojtarë të Serie A.
-Pse keni zgjedhur të luani mbrojtës, kur të gjithë dëshirojnë më së shumti të luajnë përpara e të shënojnë gola?
– Kam zgjedhur të luaj mbrojtës sepse mendoj që në atë pozicion mund të jap 100 për qind të kapacitetit tim si futbollist. Gjithashtu jam pak edhe fans i futbollit mbrojtës.
-Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U17? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?
– Kur mora ftesën e parë nga Kombëtarja U17 u ndjeva shumë i lumtur, isha duke parë një ndeshje dhe menjëherë e ndava këtë gëzim me babin dhe me shokët që kisha afër. Në grumbullimin e parë isha më i vogli dhe ndihesha në siklet kur qëndronim të gjithë bashkë. Mbaj mend kur profesori po na tregonte formacionin, në tabelë pashë emrin tim dhe u gëzova shumë dhe duart po më dridheshin nga emocionet. Kur hyra në fushë më kapën emocionet sepse nuk isha mësuar të luaja në stadiume aq të mëdha. Me kalimin e kohës u mësova.
– Si ndiheni tani që jeni pjesë e Sampdorias? Si po shkon përshtatja në futbollin italian?
– Sigurisht që ndihem shumë i lumtur për këtë hap të madh në karrierën time, sepse është sukses i punës së palodhur që kam bërë gjithë këto vite në Shqipëri. Me kalimin e kohës po përshtatem shumë e më shumë dhe mendoj se së shpejti do të jem 100 përqind i përshtatur me stilin e ri të lojës.
– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?
– Lojtari që më motivon më shumë është Berat Gjimshiti. Më pëlqen shumë puna që ai bën. Nga lojtarët e huaj më pëlqen Chiellini. Ai është një lojtar i pa lodhur dhe që jep gjithçka për ekipin.
– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?
– Synimi im kryesor është që të luaj rregullisht me Sampdoria U-19 dhe të kem mundësinë të kaloj në ekipin e parë në të ardhmen. Për të arritur këtë objektiv duhet shumë punë dhe jam i gatshëm për këtë sfidë. Ndërsa ëndrra ime është që të luaj një ditë me ekipin tim të zemrës, Juventusin, të fitoj trofe me të dhe të luaj me Kombëtaren A. Dua të ndjek hapat e Berat Gjimshitit./ fshf.org