Ngrihet Agjencia Shtetërore e Pyjeve, Klosi prezanton projektligjin

schedule13:06 - 24 Maj, 2019

schedule 13:06 - 24 Maj, 2019

Për herë të pare pyjet do të trajtohen si pasuri e përbashkët. Këtë parashikon projektligji për pyjet. Detajet e tij ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi i prezantoi para specialistëve të fushës.

Me qëllim mbrojtjen e pyjeve shumë shpejt në vend do të ngrihet Agjencia Shtetërore e Pyjeve. Një institucion që do të koordinojë punën mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe Bashkive. Kjo parashikohet në projektligjin e ri për të cilin ministri Blendi Klosi prezantoi detaje gjatë një dëgjese publike me specialistë të fushës.

“Inspektimi i pyjeve i kalon bashkive/zonave të mbrojtura.

I hapet rrugë shfrytëzimit të rolit të strukturave komunitare në fshat për përdorimin e qëndrueshëm të pyjeve në fshat, me qëllim zhvillimin e zonave rurale”.

Ky projektligj i përafruar me atë të Bashkimit Europian sipas ministrit Klosi për herë të parë trajton pyjet si pasuri e përbashkët.

“Krijon një skeme licencimi për importin e drurit në Komunitetin Europian dhe mbi detyrimet e operatorëve që vendosin lëndë/produkte druri në treg.

Pr/ligji përforcon statusin e pyjeve si një pasuri me vlera kombëtare dhe si kontribues të çmuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit”.

Ndërkohë parashikon të drejtën e përdorimit të fondit pyjor nga komuniteti i zonës, por dhe ndëshkime për ato që i dëmtojnë.

“Në kuadër të politikave sociale për zbutjen e varfërisë, shtrohet ideja e dhënies të së drejtës së shitjes së materialit drusor të vjelë nga fondi pyjor për familjet në nevojë që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Një ndryshim i rëndësishëm që vjen në këtë pr/ligj që prezantojmë sot është përshkallëzimi i dënimeve dhe masave ndaj kundërvajtësve, si: Pezullim/bllokim të aktivitetit, heqjen e licences, sekuestrimin dhe gjoba ndaj punonjësve të institucioneve në rast shkeljesh/moszbatimi të përgjegjësive ligjore”.

Projektligji i hap rrugën krijimit të një fondi të veçantë publik për pyjet, i cili investohet përsëri ne programe per pyllëzimin e vendit. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!