Ditën e djeshme kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta paralajmëroi se në shtator do fillojë puna për krijimin e një qeverie teknike. Ndërkohë, kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili edhe më herët është shprehur “pro” një bashkëpunimi me Ilir Metën, tha se Partia Demokratike është shprehur për referendum. Për sa i përket paralajmërimit të Metës, Berisha tha se ende nuk kanë folur për qeveri teknike, por theksoi se Rama duhet të largohet sa më parë.
Berisha: Prej kohësh ne jemi shprehur për referendum. Jemi shprehur në disa takime. Vlerësoj edhe qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet. Kushtetuta e ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë. Janë bërë ndërhyrje të shumëllojta në kushtetutë, të cilat i kanë privuar asaj zhdërvjelltësinë e parimeve të saj. Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre. U bë një referendum në 1994, qeveria e humbi dhe ai ishte një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare. Që nga ajo kohë referendum ka bërë PD-ja gjatë këtyre muajve. Janë një seri problemesh që duhet të marrin përgjigje me referendum.
Keni diskutuar për qeveri teknike në shtator?
Berisha: Ne nuk kemi diskutuar por Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do ngarkohet një qeveri teknike apo një qeveri ad-hoc, do ta zgjedhin forcat politike./Abcnews.al/