Partizani kampion, shifrat që mund të fitojë klubi nga Champions-i

schedule17:00 - 23 Maj, 2019

schedule 17:00 - 23 Maj, 2019

Partizani ka realizuar një përfitim të madh financiar pas shpalljes kampion. Klubi kryeqytetas do të ketë në buxhet një fitim prej të paktën 1 milionë eurosh.

Kohët kanë ndryshuar, dhe një titull vlen më tepër se më parë. Drejtuesit e Partizanit mund të ndihen të lumtur që ia arritën qëllimit për të fituar kampionatin, pasi menjëherë buxheti i klubit do të ketë rritje tepër të madhe, edhe thjesht nga pjesëmarrja në Champions.

Pra, edhe nëse nuk do të arrijnë të kalojnë asnjë tur. Në bazë të shpërblimeve të vendosura nga UEFA, Partizani fiton një shumë të përgjithshme prej 800.000 eurosh, të ndara mes Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës.

Vetëm për pjesëmarrjen, kryeqytetasit do të arkëtojnë 260.000 euro, pa nisur fare ndeshjet, ndërsa 280.000 euro do t’u jepen si pjesëtarë të turit të parë eliminator.

Në rastin më të keq, atij të eliminimit, Partizani kalon në Ligën e Europës, në raundin e saj të dytë, ku jepen 260.000 euro të tjera.

Totali është 800.000 euro.

Këtyre parave duhet t’u shtohen edhe 120 000 euro që të kuqtë i marrin nga e drejta televizive e Superligës, si dhe 10 milionë lekë të reja, që jepen nga Federata për titullin kampion.

Kjo do të thotë se, presidenti Demi dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama do të kenë në buxhet rreth 1 milionë euro, qoftë edhe sikur skuadra në fushë të humbasë të gjitha ndeshjet.

Nëse do të ketë suksese, të ardhurat do të rriten. Kalimi në turin e dytë të Championsit të jep 380.000 euro, ndërsa turi i tretë arrin në 480.000 euro. Në rast eliminimi këtu, pra në turin e tretë, Partizani do të ketë kalim në plej ofin e Ligës së Europës, ku jepen 300.000 euro, pra me pak sukses mund të shkohet nga 1.3 deri në 1.5 milionë euro.

Kjo do të thotë se klubi i kuq mund të shpenzojë jo pak për të forcuar skuadrën, apo edhe për të realizuar projektet e tjera, ku mbi të gjithë vlerësohet përfundimi I kompleksit të ri sportiv./ABC News Albania 24/7