Perëndimi “e mbyti” me sanksione, por Rusia shënoi nivele rekord të tegtisë muajt e parë të vitit

schedule22:03 - 9 Gusht, 2022

schedule 22:03 - 9 Gusht, 2022

Suficiti tregtar i Rusisë ka shënuar nivele rekord në shtatë muajt e parë të 2022, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e vendit – një zhvillim që ul ndjeshëm efektivitetin e sanksioneve perëndimore, edhe pse çmimet më të larta të energjisë kanë shtyrë inflacionin në të gjithë Evropën dhe SHBA, ndërkohë që ekziston rreziku i një krize energjitike në dimrin e vitit 2023.

Nga janari deri në korrik, suficiti rus “kapërceu” në 167 miliardë dollarë, nga vetëm 50 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Siç dihet, Moska është shumë e varur nga të ardhurat e gjeneruara nga burimet e saj energjetike – të ardhura të cilat janë rritur pavarësisht sanksioneve perëndimore pas pushtimit të Ukrainës nga Putini.

Në fakt, bilanci i llogarisë korente të Rusisë u favorizua edhe nga kolapsi i importeve në vend, si për shkak të sanksioneve, ashtu edhe për shkak se disa kompani perëndimore ose janë kufizuar në transaksionet e tyre me Rusinë, ose kanë ndaluar eksportet e tyre drejt saj.

Në raste të tilla, natyrisht, boshllëqet plotësohen – dhe ky ishte rasti me Kinën, e cila nxitoi të mbulonte disa nga importet e Rusisë: eksportet kineze në Rusi u rritën 20% në korrik, duke arritur në 6.7 miliardë dollarë. Në të vërtetë, siç vë në dukje Business Market Insider, forcimi i lidhjeve mes dy vendeve çoi në forcimin e monedhave të tyre.

Siç dihet, Kina – së bashku me Indinë – mbuloi kryesisht uljen e porosive për naftën bruto Urale të shkaktuar nga sanksionet perëndimore. Moska i shet me një zbritje të konsiderueshme Kinës dhe Indisë – por nivelet e rritura të çmimeve sjellin rritje të të ardhurave për regjimin e Putinit. Në të njëjtën kohë, Rusia po shet gazin e saj natyror me një çmim shumë të lartë në Evropë, duke bërë fitimet më të mëdha të mundshme me sasitë më të vogla të mundshme, duke i sjellë ekonomitë e varura – si Gjermania – në prag të një krize energjie dhe duke shkaktuar një inflacion të lartë në të njëjtën kohë