Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëron kryeministrin Edi Rama se do të jetë në ballë të atyre që nuk do të lejojnë zgjedhjet në 30 qershor. Basha e quan Grusht shteti procesin e regjistrimit te kandidatëve për kryebashkiakë.
“Përshëndetje të nderuar miq, jam rrugës për në Berat për takimin e radhës përpara protestës madhështore të 25 majit dhe në urën vajgurore kam ndalesën e parë me një pritje të jashtëzakonshme”.
Udhëtoi drejt Beratit për tu thënë se po rikthehet me një premtim të mbajtur.
“Këtu nga kjo sallë 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vetingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar, do ti bindej sovranit do të digjte mandatet, dhe kjo ndodhi”.
E po kështu do mbajë edhe premtimin e rradhës.
“Këtu nga kjo sallë po ju them sot se Pazar me Edi Ramën kurrë më, largimi i tij është i panegociueshëm për ti hapur rrugë vullnetit popullor, për ti hapur rrugë garës së ndershme, për ti hapur rrugë ndryshimeve politike, kushtetuese dhe zgjedhore”
Paralajmërimeve të përsëritura të kryeministrit Edi Rama se do ti presë ndëshkimi të gjithë ata që do të cenojnë procesin zgjedhor i përgjigjet me të njëjtën gjuhë.
“Kam një paralajmërim të qartë për atë që bëhet gati të konsumojë vepër penale të grushtit të shtetit dhe tradhëtisë ndaj atdheut duke zëvendësuar zgjedhjet e lira e të ndershme me një proces të korruptuar ligjor dhe të inkriminuar politikisht. mos guxo, asnjë shqiptar nuk e kursen sakrificën për liri e demokraci, unë i pari e gjithë shqiptarët. do ta ndalojmë me cdo kusht me cdo cmim, nuk e dorëzojmë kushtetutën, nuk e dorëzojmë demokracinë”
Asnjë hap pas nuk do të hidhet tha kryedemokrati Basha duke i njoftuar të gjithë shqiptarët se pas vizitës në perëndim, ka marrë garancinë nga aleatët strategjikë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa./ABC News Albania 24/7