Në një intervistë për prestigjiozen britanike “Financial Times”, kryemimnistri i Greqisë Aleksis Tsipras, ka bërë të qartë se kushti i Athinës për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, mbetet minoriteti grek në vendin tonë.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka përsëritur faktin se Athina kushtëzon hapjen e negociatave Shqipëri- BE, me progresin e Tiranës në respektimin e të drejtave të minoritetit.
Në një intervistë për “Financial Times”, Tsipras u shpreh ndër të tjera se ia ka bërë të qartë kryeministrit shqiptar Edi Rama, se në rast të kundërt, “rruga e vendit për anëtarësim në BE do të mbyllet”.
Sipas “Financial Times”, pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, “një tjetër hap i arsyeshëm do të ishte përballimi i vështirësive në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, të cilat aktualisht qëndrojnë pezull pas hapjes së një dialogu premtues në Nëntor 2017.
Çështjet e pazgjidhura janë kufijtë detarë, ligji i gjendjes së luftës dhe statusi i minoritetit grek në Shqipëri, rendit FT.
Gazeta britanike citon kryeministrin grek t’i ketë thënë homologut shqiptar Edi Rama se “Tirana duhet të mbrojë më mirë të drejtat e grekëve etnikë, përndryshe rruga e vendit për anëtarësim në BE do të mbyllet”.
“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj në fushën e të drejtave të njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështesim një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë, që të hapin negociatat për anëtarësim së bashku. Mirëpo nuk do të rrezikojmë procesin e integrimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ka shënuar progres. Kjo do të ishte e padrejtë”, theksoi Aleksis Tsipras./ABC News Albania 24/7