Blakaj: Çështja e personave të zhdukur po trajtohet si politike

schedule18:42 - 29 Korrik, 2022

schedule 18:42 - 29 Korrik, 2022

“Çështja e të zhdukurve po trajtohet si politike”. Kështu shprehet Bekim Blakaj, nga Qendra për të drejtën humanitare në Kosovë”, i ftuar në studion e emisionit “Ballkan” për të diskutuar në nga çështjet më sensitive të Kosovës dhe Serbisë. Blakaj theksoi se janë në proces të verifikimit të të gjithë të zhdukurve dhe monitorojnë të gjitha proceset gjyqësore.

“Jemi në proces të verifikimit të të gjithë personave që janë vrarë. Kemi regjistruar rreth 13 mijë persona të vrarë. Besojmë se këto të dhëna janë krejtësisht të sakta. Monitorojmë të gjitha seancat gjyqësore që zhvillohen në Kosovë. Kemi filluar të  raportojmë gjithashtu për procese gjyqësore në Hagë”, tha ai.

Çështja personave të zhdukur është futur në dialogun me Serbinë, por sipas tij vijon të trajtohet si politike. Blakaj shprehet se institucionet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë bashkëpunuar në këtë aspekt dhe se Beogradi nuk ka dhënë informacion lidhur me vendndodhjen e varrezave masive, ndonëse e ka pasur.

Lexo edhe: Albin Kurti në SHBA, Miftaraj: Mesazhet e Blinken për rajonin ishin shumë të rëndësishme

“Çështja personave të zhdukur është futur edhe në dialog. Procesi nuk është shumë transparent. Ky proces është përcjellë me barriera, gjatë kësaj periudhe. Vetë fakti që në 2019 është gjetur një varrezë masive, ku janë gjetur 9 trupa civilëve shqiptarë, para saj ishte gjetur edhe një varrezë tjetër me 54 trupa. Tregon që institucionet nuk kanë bashkëpunuar. Dy dekada është dashur që ata të japin informacione për varrezat. Çështja e të zhdukurve është trajtuar si politike. Kam frikë që edhe në këtë moment çështja e personave të zhdukur trajtohet si e tillë”, u shpreh Blakaj.

Lidhur me çështjen e dhomave të specializuara në Hagë, ai thotë se erdhën si pasojë e mungesës së seriozitetit të institucioneve të Kosovës.

“Kjo puna e dhomave të specializuara e ka fillin që më herët. Institucionet në Kosovë nuk e kanë marrë seriozisht këtë raport. Krejt ky raport ishte injoruar dhe si pasojë u krijua edhe një mekanizëm i veçantë, task-forca speciale. Për shkak të mungesës së seriozitetit të institucioneve tona erdhi te krijimi i dhomave të specializuara”, tha ai.

Por çfarë ndodh nëse Këshilli i Europës do të rishikojë raportin e Dick Marty? Blakaj thotë se nëse ndodh, kredibiliteti i dhomave të specializuara do të vihej në pikëpyetje.

“Unë mendoj që nuk jam njohës i Këshillit të Europës, sipas të gjitha gjasat që do të ketë një pikëpyetje në lidhje me raportin e Marty. Kredibiliteti i dhomave të specializuara do të luhatej. Sidoqoftë çka nuk e përmenda pretendimet në raportin e Këshillit të Evropës të përgatitura nga Dick Marty ishin serioze dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do ta lejojë të kalojë kjo pa u hetuar.  Kjo çështje është injoruar nga institucionet kosovare. Kanë shpresuar se kjo do të kalojë”, tha ai. /abcnews.al