Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Durrësit përfundon më 30 qershor

schedule14:30 - 19 Maj, 2019

schedule 14:30 - 19 Maj, 2019

Rrjeti i ri i ujësjellësit në Durrës pritet të përfundojë më 30 qershor. Këtë bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku sipas së cilës nga ky investim banorët e qytetit dhe zonave rurale do të kenë furnizim më të mirë me ujë.

Banorët e Durrësit dhe zonave përreth në fund të muajit qershor do të furnizohen me ujë 18 orë në ditë. Rrjeti i ri i ujësjellësit ndërtuar në zonën e Fushë-Kuqes do të vihet në funksion. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet qe po kryhen.

“Përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët është një nga strategjitë kryesore të zhvillimit të qeverisë Rama. Ky është një projekt që ka nisur në mandatin e parë për të përfunduar me rezultate të shkëlqyera në 30 qershor të vitit 2019. Nga ky projekt benefite do të marri jo vetëm zona e qytetit të Durrësit por edhe zonat rurale pasi do përdoret sistemi i vjetër që ne kemi pasur duke e përmirësuar për t’a vendosur dhe atë në funksion. Ne nuk kemi as kohë dhe as materiale për të humbur pasi duhet t’i ofrojmë më të mirën qytetarëve tanë”.

Ky është një investim i Bankës Botërore me vlerë 62.5 milionë euro dhe është ndërtuar sipas standardeve dhe teknologjive inovative duke shmangur dhe eliminuar ndotjen në mjedis si dhe rrezikun në shëndetin e qytetarëve. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!