“Piranjat” rikthehen në vjeshtë, çfarë risish do të sjellë sezoni i ri

schedule14:32 - 27 Korrik, 2022

schedule 14:32 - 27 Korrik, 2022

“Piranjat”, në sezonin e tyre të parë në ABC i arritën pritshmëritë dhe dolën përtej tyre. Këtë e thotë autori i programit Taulant Koplikaj në një intervistë për ABC Live. Tashmë, “kafshimet” e radhës “Piranjat” do t’i bëjnë me sezonin e ri në gjysmën e dytë të shtatorit. Koplikaj konfirmoi se, të paktën deri tani, dy moderatorët do të mbeten të njëjtë, Florian Binaj dhe Arilena Ara.

“Programi ka shkuar përtej pritshmërive. Është pritur mirë. Do të nisë në shtator, në gjysmën e dytë. Ndërkohë, puna vijon intensivisht për sezonin e ardhshëm. Angazhimi i njerëzve në rrjetet sociale ka qenë i papritur për ne. Do të ketë 2-3 hyrje të reja, disa ndryshme në staf. Grupi fillestar do të mbahet.”

Siç tregoi autori i programit, temat sensitive si ato të pedofilisë apo incestit kanë pasur një impakt të jashtëzakonshëm te shikuesit, por edhe u ka dhënë guxim njerëzve që të kontaktojnë gazetarët për të denoncuar rastet e tyre.

Sipas tij, me dhjetëra vajza të abuzuara kanë kontaktuar me stafin e programit. Ndërsa, sa i përket “pikave të dobëta” të programit, Taulant Koplikaj thotë se vështirësi kanë hasur disi me kamerat e fshehta që u bëhen personazheve të njohur. Megjithatë ai shtoi se “Piranjat” do të vijojnë të “kafshojnë” edhe në këtë drejtim. /abcnews.al/