Veriu i Mitrovicës është në heshtje zgjedhore. Të dielën do të votohet për kryetarët e katër komunave. Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Gjuirc, ka deklaruar se do përpiqet të jetë atje. Një vit më parë atij iu mohua mundësia për të hyrë në territorin e Kosovës 18 herë.
Në katër komunat e veriut të Mitrovicës ka përfunduar fushata pesëditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme e nga mesnata ka nisur heshtja zgjedhore.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen në Leposavic, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të këtyre komunave. Ata e morën këtë vendim pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
Të drejtë vote kanë 58 520 votues, të cilët janë 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të angazhojë 670 komisionerë në 44 qendra të votimit në gjithsej 87 vendvotime.
Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 242 persona; në Leposavic 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote. Për zgjedhjet në veri garojnë Partia Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje dhe Lista Serbe.
Ndërkohë i ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, në një intervistë për televizionin shtetëror serb u shpreh se separistët në Kosovë janë të shqetësuar. Ata sipas tij janë në pritje që Lista Serbe të bojkotojë zgjedhjet. Ai tha se do të përpiqet që të dielën të jetë në Kosovë duke theksuar se Kosova ia ka ndaluar hyrjen atij 18 herë, vetëm vitin e kaluar./ABC News Albania 24/7