Janë zbardhur detaje nga dosja hetimore e gjyqtares së Elbasanit, Zamira Vyshka ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar dy ditë më parë masën “arrest në shtëpi”.
Gjithashtu GJKKO ka lënë në burg avokatin Ilir Pashaj, duke mos e ndryshuar masën “arrest me burg” ndaj tij.
Abc ka zbardhur dosjen hetimore ndaj gjyqtares Vyshka e cila u arrestua me akuzën e korrupsionit.
Në dosje thuhet se hetimi filloi pas një kallëzimi anonim.
“Nga aktet e Prokurorisë rezulton se në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 26.07.2021 ka mbërritur një kallëzim anonim, fotokopje pa nënshkrimin e ndonjë personi me kallëzuese: Misir Musta, pa të dhënat e tjera identifikuese dhe të kallëzuar: shtetasja Zamira vyshka gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Në këtë dokument fotokopje thuhet shprehimisht se: “Dua të jap informacion për gjyqtaren famëkeqe të Gjykatës së Elbasanit Zamira Vyshka. Kjo gjyqtare si një ndër më të korruptuara nuk ndalet as nga frika e SPAK apo institucioneve të tjera që veprojnë në vend. Ajo është duke kryer një aferë korruptive me një dosje që ka aktualisht në dorë. Bëhet fjalë për çështjen e dërgimit në gjyq për të pandehurin Xhuljo Musaj i akuzuar për plagosje të rëndë me dashje dhe ndodhte i arrestuar në paraburgimin e Elbasanit. Ky i pandehur ka pasur një avokat që e ndiqte çështjen gjatë shqyrtimit të masës së sigurimit, por tani që e mori kuçedra Zamira Vyshka i ka vënë kusht palës që të marrë avokat Ilir Pashaj, ish-gjyqtar në Elbasan dhe mik i ngushtë i gjyqtares. Avokati komunikoi me xhaxhain e të pandehurit i njohur si Tani Musaj dhe janë takuar duke bërë pazaret. Më pas Iliri ka rënë dakord me Zamirën si do veprohet për të nxjerrë nga burgu të pandehurin. Sipas diskutimeve që kjo gjyqtare ka zhvilluar me avokatin Pashaj kanë rënë dakord që ajo të marrë 5000 euro në këmbim të lirisë. Mjafton të verifikoni këtë rast dhe do shikoni se kjo çështje është një aferë e pastë korruptive e kryer nga një gjyqtare që korrupsionin e ka fjalën e saj të preferuar. ”
Më 22 korrik, Zamira Vyshka u arrestua me urdhër të SPAK. Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “arrest me burg” për avokatin Ilir Pashaj dhe shtetasit Taulant Ramollari e Xhulio Musaj. Ky i fundit është i dënuari për të cilin janë paguar lekët.
Xhulio Musai akuzohej për plagosje dhe dosja e tij penale po shqyrtohej nga gjyqtarja Vyshka.
Familjarët e Musait i kanë thënë avokatit Ilir Pashaj që t’i dërgonte gjyqtares shumën prej 2 milionë lekë të vjetra, në mënyrë që ajo të zbuste masën e dënimit për të pandehurin. Por gjyqtarja e Elbasanit nuk e ka pranuar shumën e propozuar nga familjarët dhe ka kërkuar 4 milionë lekë të vjetra si shpërblim për ndryshimin e masës së sigurisë./Abcnews.al/