Ditën e djeshme, në konferencën me gazetarët, Sali Berisha njoftoi se është shpallur “non grata” edhe nga Britani e Madhe. Sakaq ai paralaj,ëroi se do të vijojë betejën ligjore.
Ditën e sotme, ish-kryeministri i ka drejtuar një letër të hapur Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith.
Berisha shpreh bindjen se kundër tij nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë provë, për faktin e thjeshtë se ato nuk ekzistojnë.
Berisha: Shkëlqesia juaj! Dje, Ambasda e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, që Ju drejtoni, reagoi ndaj deklaratës sime për shpalljen non grata nga autoritetet e vendit tuaj. Në mungesë të fakteve, në vend të ndjesës publike, në këtë reagim mbrohen shpifjet vulgare të letrës në emër të Sekretarit të Brendshëm, në të cilën unë akuzohem për korrupsion, dmth përdorimin e pushtetit për pasurimin tim dhe rrethit tim, për të cilat nuk keni sjellë dhe nuk do mund të sillni kurrë asnjë provë dhe fakt të vetëm për arsyen e thjeshtë se të tilla nuk ekzistojnë.
Berisha vijon më tej dhe shprehet se kundër ish-këshillëtarëit të tij britanik Damir Fazlic, icili përmendte në letër, pas hetimeve nga Prokuroria shqiptare nuk është provuar asnjë nga shkeljet e pretenduara.
Berisha: E vetmja gjë konkrete, që përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazliç, ish-këshilltari im elektoral në ekipin e BGR në zgjedhjet e vitit 2005, të cilin sipas letrës, unë e kam pasuruar dhe mbrojtur kur ndaj tij dolën prova inkriminuese. Në fakt, 14 vite më parë, Prokuroria shqiptare e hetoi sipërmarrësin në fjalë për një kohë të gjatë, duke konkluduar se nuk kish mundur të provonte asnjë nga shkeljet e pretenduara për të. Dhe, me lejoni të theksoj se, e gjithë historia lidhet me sjelljen e kapitalit privat të Fazllic për investim direkt, dhe jo për lidhje me tendera apo kontratat publike. Për më tepër, gjatë 9 viteve që prej largimit tim nga qeveria, nëse do të kishtë pasur shkelje, Prokuroria ka pasur mundësi të hetonte përsëri, por asnjëherë, një gjë e tillë nuk është bërë për faktin e thjeshtë se hetimi i parë, ndonëse i plotë e i thelluar, nuk gjeti asgjë të jashtëligjshme.
Letra vijon me disa pyetje të hapura drejtuar Sir Alastair King-Smith.
Berisha: Nëse Shkëlqesia Juaj ka prova inkriminuese për shtetasin Tuaj, ligji Ju detyron t’i dërgoni ato para drejtësisë shqiptare ose angleze, dhe jo të tirrni shpifje publike pa sjellë asnjë argument.
E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime, dhe që pas largimit tim nga pushteti ka vazhduar të bëjë investime të rëndësishme në Shqipëri.
Berisha e cilëson fyerje përdorimin e një emri, i cdili nuk ka qenë i dënuar më parë as në Shqipëri as në Britani dhe kundër tij nuk ka asnjë provë. Ai thekson se kjo përbën një skandal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korrupsioni meqëllim për të zgjatur ditët e qeverisë më të korruptuar në Evropë, duke ju referuar qeverisë Rama.
Berisha:
Me këtë rast ju vë në dukje se përdorimi për të me akuzuar mua për korrupsion i emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, përbën një fyërje për çdo shqiptar, për çdo britanik, per çdo europian, për çdo amerikan dhe për çdo qytetar të botës që beson në prezumimin e pafajësisë, parim i sanksionuar qe nga Magna Carta, dhe pas saj në të gjitha dokumentat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por që Ju ua mohoni një qytetari të vendit Tuaj, me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër.
Kjo përbën një skanadal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korruptiv, që ka për qëllim final të zgjasë ditët e qeverise më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës.
Berisha paralajmëron se nuk do të rreshtë së luftuari për të provuara pafajësinë e tij.
Berisha: Me këtë rast, dua t’Ju siguroj, Ju dhe qeverine e Madhërisë së Saj, për të cilën ruaj respekt të vërtetë, se me të gjitha mundësitë e mia modeste, nuk do rresht së luftuari për të bindur shqiptarët se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre.
Në fund, ish-kryeministri i kërkon Britanisë së Madhe që çdo provë të mundshme kundër tij, ta paraqesin në Gjykatë.
Berisha: Shkelqesia Juaj, nuk po ndalem të komentoj akuzën Tuaj politike për lidhjet e mia me krimin, pa sjellë asnjë fakt, sepse për këtë flet shumë më gjate e më thellë, heshtja Juaj për rekordet më të zeza të narkoqeverise që po zbraz Shqipërinë më shumë dhe më shpejt se një luftë. Por, iu bëj me dije se jeni zyrtari i parë në botë që e thoni një gjë të tillë, dhe se akuza të tilla nuk janë artikuluar ndonjëherë as nga kundërshtarët e mi, lidhjet e të cilëve me krimin e organizuar i kam denoncuar dhe vazhdoj t’i denoncoj çdo ditë.
E mbyll këtë letër me lutjen dhe kërkesën time për Shkëlqesinë Tuaj, Ambasador King-Smith, dhe qeverinë e MB, që çdo provë, fakt apo document, që dispononi apo që mund të siguroni, nga kushdo në botë, t’i paraqisni pranë gjykatave shqiptare apo britanike.
Me konsideratë,
Sali Berisha.
Sali Berisha./Abcnews.al/