Pse i nxehti i këtij viti po ‘shkrin’ Europën

schedule10:53 - 21 Korrik, 2022

schedule 10:53 - 21 Korrik, 2022

Nga Victor Jack dhe Karl Mathiesen, Politico.eu

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Europa është nën kontrollin e një vale të të nxehtit ekstrem, me temperaturat që pritet të thyejnë rekorde të reja, ndoshta duke rritur numrin e viktimave. Nxehtësia që preku Europën Perëndimore të hënën dhe të martën vjen pas temperaturave të larta prej ditësh në Gadishullin Iberik, ku qindra kanë vdekur tashmë si pasojë e nxehtësisë së madhe, në atë që ekspertët thonë se  u përkeqësua si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Zyra e shërbimit të Metologjisë në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi paralajmërimin e saj të parë, me temperaturat që shënuan mbi 40C të martën. Ndërkohë, në Francë, temperaturat kanë shënuar mbi 40 gradë Celsius dhe në jugperëndim të vendit, mijëra njerëz  janë evakuuar  pas zjarreve që kanë djegur më shumë se 10,000 hektarë.

Disa zona të Gjermanisë pritet gjithashtu të shënojnë  40 gradë Celsius  nga mesi i javës, ndërsa vendet e Europës Lindore  pritet të shënojnë temperatura rekord të enjten. Nëse ka një gjë që politikanët duan të shmangin, është një përsëritje e vitit 2003, kur një valë e nxehtë në Europë shkaktoi më shumë se 70,000 viktima, raporton abcnews.al.

Deri më tani, më shumë se 1,000 njerëz kanë vdekur si pasojë e nxehtit në Spanjë dhe Portugali.

Ja çfarë duhet të dini për valën e fundit të të nxehtit në Europë.

Sa vdekjeprurëse mund të jetë nxehtësia ekstreme?

Rreziqet më të menjëhershme janë goditja dhe rraskapitja nga nxehtësia, të cilat në disa raste mund të jenë fatale – veçanërisht tek të moshuarit dhe njerëzit që punojnë në temperatura të larta.

Ndërsa temperatura rritet, djersisim edhe më shumë. Pa rihidratim, kjo mund të shkaktojë probleme në zemër që do të thotë se presioni i gjakut mund të jetë i ulët duke çuar në probleme të organeve në raste ekstreme. Gjithashtu, kur temperatura e ambientit kalon 37.5C të trupit, djersitja në vetvete bëhet më pak efektive.

Goditja nga nxehtësia ndodh kur temperatura e trupit është më e lartë dhe mund të çojë në dëmtim të trurit dhe organeve, nëse nuk trajtohen menjëherë. Por numri i vërtetë i vdekjeve për shkak të nxehtësisë priret të jetë shumë më i lartë se sa raportohet.

Kryesisht në mesin e të sëmurëve, të moshuarve dhe shumë të rinjve, pasi diçka e tillë mund të japë problemet pas disa ditësh apo javësh. Temperaturat e ulëta deri në 25 gradë mund të përkeqësojnë problemet kardiovaskulare, shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në mesin e personave mbi 65 vjeç, tha Mike Tipton, profesor në Universitetin e Portsmouth, raporton abcnews.al.

Temperaturat e larta gjithashtu reduktojnë qarkullimin e ajrit dhe çojnë në një rritje të ndotjes së ajrit, duke përkeqësuar problemet e frymëmarrjes si astma me pasoja potencialisht fatale. Temperaturat 40C janë normale kudo në botë – por pse jemi të shqetësuar?

Në shumë vende europiane, ndërtesat nuk janë të dizajnuara për t’i bërë ballë temperaturave mbi 25 C, sipas Mariam Zachariah, shkencëtare e klimës në Imperial College London. Kjo është një çështje serioze në Europën veriore, ku shumica e shtëpive janë ndërtuar në mënyrë që të ndihmojnë banorët të përballojnë më mirë të ftohtin, duke bërë që temperaturat e brendshme të rriten gjatë një valë të nxehti.

Vetëm një pjesë e vogël e këtyre shtëpive kanë ajër të kondicionuar. Qytetet që nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë temperaturave të larta gjithashtu në shumë raste nuk kanë infrastrukturën e duhur për t’i mbajtur njerëzit të freskët.

A përbën ndryshim klimatik?

Po. Grumbullimi i CO2 nga djegia e lëndëve djegëse fosile i ka bërë valët e të nxehtit më intensive dhe më të shpeshta në të gjithë globin, duke përfshirë edhe Europën. Ndryshimi i klimës nxit valët e të nxehtit në dy mënyra, tha Zachariah.

Një prej ndikimeve është bllokimi i nxehtësisë në sistemin global. “Një atmosferë më e ngrohtë do të thotë më shumë temperatura të larta,” tha ajo. Ndikimi i dytë është “dinamik” – që do të thotë ndryshim i modeleve të motit, të cilat mund të sjellin shkaktojnë temperatura të larta dhe shi në rajonet që normalisht nuk i përjetojnë ato.

Në rastin e Europës, kontinenti po përballet me të nxehtin afrikan. Këto lloje të valëve të të nxehtit do të bëhen më të shpeshta në dekadat e ardhshme, edhe nëse qeveritë do të zbatojnë premtimet e tyre për të ulur emetimet – gjë që nuk është aspak e sigurt.

“Edhe me premtimet aktuale për reduktimin e emetimeve, ekstreme të tilla mund të ndodhin çdo 15 vite,” tha Christidis.

Çfarë masash duhet të marrin politikëbërësit?

Në Francë, këshilltarët e qytetit  i kanë pajisuar muzetë dhe vendet e tjera me ajër të kondicionuar pa pagesë dhe kanë zgjatur orarin e hapjes së pishinave. Autoritetet komunale gjithashtu kanë regjistra për më të rrezikuarit dhe kontrollojnë personat që jetojnë vetëm dhe që mund të jenë më të rrezikuar.

Por përtej masave të menjëhershme, vendet kanë nevojë për plane afatgjata veprimi për ngrohjen, tha Sjoukje Philip nga Instituti Meteorologjik Mbretëror i Holandës. Kjo nënkupton mbjelljen e më shumë pemëve në qytete, ndërtimin e shtëpive rezistente ndaj nxehtësisë, rinovimin e ndërtesave dhe vendosjen e sistemeve të fuqishme të paralajmërimit të hershëm.

BE po u kërkon zyrtarëve të qytetit dhe qeverisë që të marrin këto masa. “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike është thelbësore dhe duhet të bëhet shpejtë, në mënyrë të zgjuar dhe më sistematike,” tha një zëdhënës i Komisionit Europian për POLITICO.

A është Europa një rast i veçantë?

Megjithëse valët e të nxehtit prekin shumicën e pjesëve të botës, sipas Philip-it ka dallime rajonale.

“Valët e të nxehtit në Europën Perëndimore nxehen më shpejt se në disa rajone të tjera,” tha ai. “Ka disa faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë, si përshembull thatësirat.

Hulumtimi i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike tregon se temperaturat janë rritur në të gjithë Europën me një ritëm që tejkalon ndryshimet mesatare të temperaturës globale në vitet në vijim, ndërsa frekuenca dhe intensiteti i valëve të nxehtit do të vazhdojë të rritet gjithashtu.

/abcnews.al