Që pas protestës së opozitës më 11 Maj gjatë një konference për shtyp, por edhe me disa statuse në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje sërish, Bashës që të dialogojnë.
“Autobusin e këtij Qershori e humbe po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do flasim”, ishte një reagim i Ramës pas protestës-marshim së të hënës ndaj liderit të opozitës.
Gjatë emisionit “Byro Politike”nga Juli Xhokaxhi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka treguar personin me të cilin sipas tij duhet të flasë Rama. Alibeaj u shpreh se kryeministri duhet të flasë me avokatin e tij për krimet elektorale që ka kryer.
“Nuk është ultimatum se të kërkosh zgjedhje të lira nuk është ultimatum. Fillohet nga kjo që shqiptarët të votojnë të lirë. Pse kemi kërkuar që të mos jetë Rama kryeministër? Sepse ka një sërë episodesh filluar më së paku nga 2015. Menyja është e thjeshtë për shqiptarët e uritur për demokraci. Menyja është kjo: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, një qeveri tranzitore që garanton barazinë e palëve dhe lirinë e shqiptarëve për të votuar me një mandat të tillë të përcaktueshëm aq sa për të garantuar këto zgjedhje të lira.
A rivendoset kështu tulla e parë e demokracisë, vota e lirë? Ne besojmë që po. Nuk e kemi bërë për të marrë pushtet në tryezë. Nga ky moment besoj se çdo gjë ecën në mënyrë normale. Nuk është ultimatum. Të të shkruajë gazeta më e madhe gjerman “Bild” që Rama është kapur në krim elektoral, vetëm të fyejmë inteligjencën mos të pranojmë që të kërkojmë me një arsyetim normal. Unë them dhe një gjë tjetër. Kur thotë ai “kur do flasim, kur do flasim”, unë e kam një përgjigje. Juridikisht me kë do flasë? Ai ka vetëm një njeri me të cilin duhet të flasë, me avokatin e vet për krimet elektorale që ka kryer. Ne po kërkojmë vetëm kaq, kryeministër jo sepse vjedh zgjedhjet”, tha ish-deputeti./abcnews.al