Bashkia e Tiranës hap tregun e parë publik të rrobave të përdorura në Shkozë. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj shkoi për ta inspektuar ndërsa ftoi komunitetin rom dhe egjiptian ta shfrytëzojnë ketë mundësi.
103 familje nga komuniteti rom dhe egjiptian nuk do kenë më nevojë që të tregtojnë rroba në rrugë. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë hapën tregun e parë publik të rrobave të përdorura në Shkozë me qellim nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore nw këtë komunitet.
“Në këto 4 vite kam mësuar se njerëzit ndahen në dy kategori: ata që bëjnë gam-gam për çdo gjë dhe njerëzit që bëjnë punë. Sa herë që kemi pasur një sfidë që duhej zgjidhur kemi preferuar të mos jemi nga ata që bëjnë seminare, konferenca, trajnime, ëorkshope e raporte; sa herë ka qenë nevoja për të zhvendosur një treg nga Bregu i Lumit, në Lanabregas, në Shkozë ose të strehojmë njerëz në banesa sociale, këtë kemi bërë”.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë komunitetin që merret me tregtinë ambulante të rrobave të përdorura, të shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Ftesa për të gjithë anëtarët e komunitetit që shesin rroba të përdorura është të vijnë në këtë treg; siç larguam ata ambulantë që shisnin në rrugë dhe në fillim kishte histeri, por sot shihni se sa mirë janë duke shitur në tregjet e bashkisë, të njëjtën histeri presim edhe për këtë zhvillim. Por, histeria zgjat pak, e vërteta, fakti, prova, puna zgjat shumë. Kështu që, pasi të kalojë histeria, do largohemi nga cepat e rrugëve, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga dherat, nga trafiku dhe do shesim në një treg të tillë. Më vjen mirë që ende pa u hapur mirë, tregu është plot”.
Tregu i rrobave të përdorura është ndërtuar pranë kompleksit të banesave sociale dhe strehës së re që ofron ndihmën e parë për njerëzit e rrugës dhe ofron 103 vende shitje./ABC News Albania 24/7