Nga Lutfi Dervishi
Pas lajmit se në kontenierin me banane në Durrës mungonin disa arka me banane, majmuni Kiko që u bë i famshëm sepse rrahu tre policë dhe një turist grek u thirr sot me ngut në Prokurori si i dyshuar kryesor në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
– Ne i dimë të gjitha. Të kemi thirrur për të të dhënë mundësinë të thuash atë që ti di rreth trafikut ndërkombëtar të kokainës.
– Çfarë pune kam unë me kokainën?
– Në bisedën e kaluar më thatë se keni ardhur në Shqipëri se ju pëlqejnë bananet dhe ndjenjën që të japin bananet këtu nuk e gjen në asnjë vend të BE-së dhe madje as në vendet aspirante për në BE.
– Të vërtetën kam thënë.
– Ke qenë ndonjë herë në Portin e Durrësit.
– Jo.
– Arsyeja?
-Më kanë thënë se porti dhe qyteti kontrollohen nga mafia.
– Ashtu. A mund të jesh me specifik?
– Jo, sepse kam ndërmend të jetoj më gjatë.
– Shqipëria është nga vendet më të sigurta në botë.
– E kam lexuar. Prirem të besoj atë që lexoj, por sikundër e dini u bë 5 vjet që jetoj këtu. Unë, siç thoni ju shqiptarët, i kam sytë në ballë. Në fakt sytë nuk i kam në ballë, sytë ashtu si ju i kam në fytyrë, por ju betoheni për sytë e ballit…
Lexo edhe: Intervistë me majmunin që rrahu tre policë dhe një turist grek
– Pse përpiqeni të dredhoni? Ne mund të japim statusin e dëshmitarit të penduar.
– Nuk plotësoj kriteret. Nuk kam bërë asnjë krim. Për çfarë të pendohem?
– Për shembull mund të pendohesh pse ke ardhur në këtë vend? Pse ke lindur? Pse të pëlqejnë bananet? etj etj.
– Zoti Prokuror pse nuk më bëni pyetje konkrete që edhe unë të përgjigjem konkretisht.
– Sot në portin e Durrësit, në ngarkesën e ardhur me banane mungojnë disa arka.
– Po më akuzoni se i kam vjedhur unë?!
– Jo, por kemi dëshmitarë që sot je parë që në mëngjes me disa banane në duar. Dhe sot ke qenë veçanërisht i lumtur! Ç’më kaq i lumtur në këtë zheg vape?
– Ngaqë janë hapur negociatat…
– Po bananet në duar?
– Zoti Prokuror është e vërtetë se bananet kanë qenë në dorën time, por jam gati të vë dorën në bibël, kuran, torah, kushtetutë, statutin e PD-së të rithemeluar dhe kudo të duash ti: bananet i kam patur në dorë, por arkat kanë ikur tjetër kund! Pastaj unë kam alegji nga “pluhuri llokumeve”!
– Ku e ke dëgjuar këtë “pluhur llokumesh”?
-Më kanë thënë se u hidhet bananeve që të mos prishen gjatë transportit.
Lexo edhe: Dalin shifrat, në kontejnerin me banane mungojnë 50 arka, dyshimet për drogë në Portin e Durrësit
– A mund të jesh më konkret?
– Për këtë pyesni më mirë qentë e kufirit të portit. Ata shquhen dhe paguhen për nuhatje, unë jam thjesht një bananengrënës.
– Tani do të na tregosh ne se kë duhet të pyesim?
– Nëse më lejoni i nderuar kush tjetër ka nderin të përgjigjet sot para jush përveç meje?
– Janë punëtorët e ngarkim – shkarkimit dhe shoferi.
– Domethënë, unë majmuni Kiko, punëtori dhe shoferi. Pra dy brekëgrisur dhe një pa brekë si puna ime?!!! Po shefi i sigurisë së portit? Përgjegjësi i turnit? Pronarët e kompanisë porositëse? A i keni marrë provat shkresore?
-Çfarë do të thuash o majmun?
– Në intervistën e parë të thashë që një nga arsyet e rrahjes së turistit grek ishte se grekët thonë se kanë ardhur në këto troje para nesh majmunëve. Por duke ju referuar grekut të lashtë Sokrat, që mësonte duke bërë pyetje; pra metodës sokratike, do të bëja disa pyetje pasi të merrja procesverbalin e mbërritjes së kontenierit.
- A ka dëmtim të jashtëm të kontenierit, të plumbçeve?
- Kontenieret survejohen 24/7 me kamera. Të kqyren kamerat kush i është afruar kontenierit dhe kush ka ndërhyrë?
- A kanë punuar kamerat? Nëse jo, pse?
- Sa ditë ka kontenieri në port? Të kqyren telefonatat e pronarit dhe administratorit të firmës së bananeve.
- Sa ka qenë koha nga dalja e kontenierëve (nga vendi ku kontenieret qëndrojnë të rrethuar me roje dhe kamera) deri te skaneri?
- Kush dhe me çfarë mjeti u transportua kontenieri deri te skaneri?
- Sa është totali i arkave dhe sa arka mungojnë?
- A janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në sipërfaqen e arritshme të kontenierit?
- A janë marrë në konsideratë ngjashmëritë me rastet e tjera në portin e Durrësit?
10…
– More majmun do të heqësh dorë nga përpjekja për të devijuar hetimet? Do t’i lësh mënjanë këto majmunllëqe?! Ti?! Ti do të më mësosh mua se si bëhen hetimet? E di ti se kë ke përballë?
-Prokurorin!
-Jo nuk ke përballë prokuror sidokudo po prokurorin që ka kaluar vettingun!/Abcnews.al/