Çdo javë në Berat rezultojnë rreth 25 fëmijë të prekur nga Covid. Shefi i shërbimit të pediatrisë në Spitalin rajonal të Beratit, Vladimir Kumaraku thotë se çdo ditë viziton mbi 60 vogëlushë. Ndërsa tre fëmijë nga mosha 0-4 muajsh kanë shfaqur komplikacione dhe janë detyruar të nisen me urgjencë drejtë Tiranës.
“Ka pasur një ecuri në rritje të numrit të rasteve me Covid-19 por rritja e numrit të rasteve nuk duhet të rrisë alarmin por duhet të na bëjë të kujdesshëm dhe ti ndjekim raste në shtëpi. Çdo ditë regjistrohen nga 3 raste të reja fëmijësh të prekur nga Coronavirusi por fatmirësisht graviteti i sëmundjes nuk ka qenë i lartë. Rastet e fëmijëve të prekur nga Covid-19 po trajtohen në shtëpi, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me mjekun për ecurinë e virusit. Tre fëmijë të moshave 0-4 muajsh kanë qenë në gjendje të agravuar dhe me probleme respirative dhe janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Rastet kanë qenë të shumta, në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covidi nuk ka shenja të rënda. Aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët (familjarët) e ardhur nga jashtë apo turistët. Numri i vizitave shkon deri në 60 vizita në ditë, ndërkohë që gjatë fundjavës arrin edhe deri në 100 fëmijë.”
Temperatura shumë e lartë është simptoma dalluese tek fëmijët. Ajo zgjat 4 ditë, dhe më pas fillon edhe përmirësimi i gjendjes shëndetësore.
“Ajo që e dallon këtë formë të Covid-it që ka pësuar mutacione të ndryshme është temperatura e lartë që shfaq tek fëmijët, temperaturë që zgjat deri në 3-4 ditë dhe që është një temperaturë e qëndrueshme dhe që reagon shumë pak ndaj qetësuesve për uljen e temperaturës. Përveç temperaturës, fëmijët kanë edhe këputje trupore, dhimbje të muskujve e kokës dhe lodhje.Pas 4 ditësh, temperatura shkon drejt rënies dhe situata klinike e fëmijëve fillon të përmirësohet. Deri tani ne nuk kemi asnjë të dhënë të saktë në lidhje me komplikacionet apo pasojat që mund të lërë tek fëmijët ky virus por pas trajtimit të rasteve do të kemi të dhëna të mjaftueshme për të dalë edhe në konkluzionet në lidhje me mënyrën e paraqitjes, mënyrën e trajtimit dhe pasojat që mund të lërë.”
Krahas rasteve me Covid, ka edhe shumë fëmijë të cilët kanë shqetësime nga virozat e stinës. Tampon mbetet e vetmja mënyrë e cila përcakton diagnozën, edhe pse disa prindër refuzojnë që fëmijët e tyre ta bëjnë. /abcnews.al/