Trajneri i Interit, Luçiano Spaleti, është nën presion të madh pas lajmeve për zëvendësimin e tij të mundshëm me Antonio Konten. Kjo mund të ndikojë për keq në garën për Ligën e Kampionëve
Asgjë nuk është siguruar deri tani, por të paktën ekziston mundësia për të marrë frymë më lirisht për disa ditë.
Luçiano Spaleti nuk ka kohë të mendojë për të ardhmen e tij, të kërcënuar nga “hija” e Antonio Kontes, por duhet të dërgoja “varkën” në “port”, pra ta kualifikojë skuadrën në Champions për sezonin e ardhshëm.
Fitorja 2-0 ndaj Kievos, në Serinë A, ishte në drejtimin e duhur, ndërsa në radhë vjen supersfida në Napoli, me Spaletin që ndoshta duket nervoz nga thashethemet për stolin.
“Unë nuk jam aspak nervoz, – kundërshtoi ai, – ka 3 muaj që fliten këto gjëra. Nuk është normale të më bëni gjithnjë të njëjtën pyetje, mendoj se pyetja bëhet një herë dhe jepet një përgjigje. Pastaj, në gazeta ka ofendime të ndryshme”.
Gjithsesi, duket se “burimi” e lajmeve për pasardhësin është vetë Interi, dhe Spaleti e ka një përgjigje.
“Marota bën mirë që shkon të kërkojë më të mirën për Interin, por shihet qartë se ka një pabarazi në respekt, lidhur me situata të caktuara”, – shprehet ai.
Duket qartë se trajneri nuk është i lumtur për mënyrën sesi po trajtohet, me klubin që është gati ta largojë në fund të sezonit, veçse kjo është pjesë normale e biznesit të futbollit.
Mediat theksojnë pikërisht ndryshimin e mundshëm.
“Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh: Nis numërimi mbrapsht, duke theksuar emrin e Kontes! Interi pret firmën, Spaleti kthehet në vendin e tretë!
“La Gazeta delo Sport”: Inter, thuajse ia dole! Spaleti ringjitet në vendin e tretë, Atalanta lihet prapa, Championsi vetëm tri pikë larg!
Gjithsesi, Spaleti është profesionist dhe do të përpiqet të arrijë Championsin, së pari për vete dhe pastaj për Interin.
Me 66 pikë ndaj 65 të Atalantës e 62 të Romës e Milanit, ende nuk ka siguri./ABC News Albania 24/7


