Presidenti i refuzon dorëheqjen kryeministrit Draghi, çfarë do të ndodhë me qeverinë italiane?

schedule20:18 - 14 Korrik, 2022

schedule 20:18 - 14 Korrik, 2022

Presidenti i shtetit Italian, Sergio Mattarella refuzoi të enjten dorëheqjen e kryeministrit Mario Draghi dhe i kërkoi atij që t’i drejtohej parlamentit për të marrë një panoramë të qartë të situatës politike, sipas një deklarate zyrtare nga Presidenca e Italisë.

Mario Draghi konfirmoi se do të jepte dorëheqjen si kryeministër i Italisë të enjten, pasi një prej partive në koalicionin e tij qeverisës nuk mori pjesë në votëbesimin ndaj qeverisë së drejtuar nga ai.

Lajmi për largimin erdhi pavarësisht se më herët gjatë ditës qeveria i mbijetoi një votëbesimi në Senat, gjatë një seance që u bojkotua nga senatorët e partisë “Lëvizja 5 Yjet”.

“Unë do t’i paraqes dorëheqjen time presidentit të republikës këtë mbrëmje,” i tha Draghi kabinetit, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij.

“Koalicioni i unitetit kombëtar që mbështeti këtë qeveri nuk ekziston më,” shtoi Draghi, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i cili ka qenë kryeministër i një koalicioni të gjerë që nga shkurti 2021.

Votbesimi ishte bërë një pikë qendrore për tensionet brenda qeverisë së Draghit, ndërsa partitë e saj përgatiten të luftojnë njëra-tjetrën në zgjedhjet kombëtare që duhet të zhvillohen në fillim të vitit 2023.

Vendimi i partisë “5-Yjet” për të bojkotuar votbesimin të enjten e kishte zhytur Italinë në pasiguri politike dhe rrezikoi të minonte përpjekjet për të siguruar miliarda euro nga fondet e Bashkimit Evropian, për të menaxhuar një thatësirë të dëmshme dhe për të zvogëluar varësinë e saj nga gazi rus.

Draghi deklaroi se nuk do të dëshironte të drejtonte një qeveri pa partinë “5-Yjet”, të cilët u konfimuan si partia më e madhe në zgjedhjet e mëparshme në 2018-n, por që atëherë kanë pësuar dezertime dhe një humbje të mbështetjes publike.

Kjo mund të çojë në zgjedhje kombëtare që në shtator ose tetor pasi partitë e tjera të koalicionit thanë se duhet të ketë zgjedhje nëse “5-Yjet” nuk e mbështesin më qeverinë.

73 vjeçari Draghi kur ishte në krye të Bankës Qendrore është cilësuar si figura që luajti një rol kyç në shpëtimin e monedhës së përbashkët europiane, euro. /REL