Kullat bosh! Zona ku i riu Anri Kashiku u mbyt për të shpëtuar dy të miturit ishte pa roje bregdetare

schedule18:02 - 14 Korrik, 2022

schedule 18:02 - 14 Korrik, 2022

Një tjetër tragjedi u shënua sot në bregdetin shqiptar, ku një i ri humbi jetën tragjikisht në përpjekje për të shpëtuar dy të mitur nga mbytja. Anri Kashiku ishte 18-vjeçari  hero që u fut në det për të shpëtuar vëllanë dhe shokun e tij 15-vjeçar të cilët po rrezikonin jetën si pasojë e dallgëve të larta.

Lexo edhe: FOTO LAJM/ Ky është heroi, Anri Kashiku u fut në det të shpëtonte vëllanë dhe shokun e tij, por u mbyt: Si ndodhi tragjedia në Durrës

I riu bëri një gjest heroik dhe ia doli të nixrrte në breg dy të miturit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë tragjedia mund të shmangej.

Gazetari Leonidha Musai bën me dije për abcnews.al se në momentin e ngjarjes, në plazh nuk ka pasur roje bregdetare. Edhe pse në zonë ka kulla, kur ndodhi ngjarja  e rëndë ato ishin bosh. Me praninë e rojes bregdetare, tragjedia mund të ishte shmangur dhe i riu nuk do të kishte humbur jetën në përpjekjen për të shpëtuar dy 15-vjeçarët.

Kujtojmë që këtë sezon turistik raste të tilla tragjike në bregdetin e Shqipërisë nuk kanë qenë të pakta dhe më i fundit përbën një alarm të shtuar për rritjen e sigurisë dhe monitorimit në plazhe.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja tragjike ndodhi rreth mesditës, kur deti filloi të trazohej, ndërsa dy të miturit po rrezikonin mbytjen. Anri Kashiku sapo i pa hyri për t’i shpëtuar dhe ia doli, por vetë nuk mundit të mbijetonte. Pasi kishte kaluar shumë kohë, trupi i tij i pajetë u gjet rreth 20 metra nga bregu.

Ai kishte pak ditë që ishte rikthyer nga Anglia për të kaluar kohë me miqtë dhe familjen, por pushimet përfunduan në tragjedi. Anri Kashiku ishte gjithashtu pjesë e ekipit të të rinjve që e kishte qendrën në afërsi të vendit ku ndodhi tragjedia.

Reagimet për vdekjen e 18-vjeçarit kanë qenë të shumta, duke filluar nga politika e njerëz të tjerë që e kanë cilësuar hero të riun për gjestin që bëri. /abcnews.al