“Nuk ka emigrant që sjell 2 mln cash”, Kryemadhi: Amnistia Fiskale do shërbejë për pastrim parash

schedule19:20 - 13 Korrik, 2022

schedule 19:20 - 13 Korrik, 2022

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka thënë se amnistia fiskale nuk do t’u shërbejë emigrantëve, madje do të shërbejë për pastrimin e parave nga institucione apo grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryemadhi tha se ajo që po ndodh teksa diskutohet projektligji për amnistinë fiskale, ajo që po ndodh është manipulimi i opinionit publik.

“Amnistia fiskale, nuk mendoj se shërben me çështjen e diasporës, s’mendoj se ka ndonjë emigrant në SHBA dhe do sjellë 2 mln kesh, mendoj se është manipulim i opinionit, për të mos thënë që mund të shërbeje për pastrim parash për institucione apo grupe kriminale jashtë dhe brenda Shqipërisë”, tha ajo.

Më herët edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu shqetësimin për projektligjin e amnistisë fiskale, duke rekomanduar tërheqjen e tij.

Kjo pasi rreziqet e parashikuara janë më të mëdha se përfitimet dhe nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia. /abcnews.al