Nga Edi Oga
Prej muajsh gazetat e portalet ‘zjejnë’ lajme mbi skandalet qeveritare, të shoqëruar me emra personash të kërkuar, të hetuar e të dënuar. Të tjerë emra politikanësh të lartë përmenden dhe akuzohen mediatikisht, por jo domosdoshmërisht drejtësia po merret me ta, të paktën në dijeninë e publikut.
Ajo që publiku di, është që qeveria me ndihmën përfituese të partnerëve të saj privatë të biznesit, ka gllabëruar dje, po e bën sot dhe e ka planifikuar edhe për nesër, pothuaj të gjitha paratë e buxhetit të shtetit. Në media lexojmë se kanë abuzuar (lexo grabitur) në energjinë elektrike, në karburante, në rrugë e punë të tjera infrastrukturore, në shëndetësi, në përpunimin e mbetjeve e kudo ku ‘lëviz’ para e madhe.
Në mungesë të reagimit adekuat të drejtësisë, opozita i ka bërë këto ‘thagma’ kauza të luftës së saj për pushtet. Në një vend çfarëdo demokratik, vetëm me një fraksion të secilës nga këto ‘vepra’ korruptive, do të kishte rënë çdo qeveri. Këtu tek ne, jo. Përkundrazi, ajo që nuk e vret pushtetin, e bën më të fortë. Sigurisht këto ‘thagma’ të korrupsionit shoqërohen me shifra dhe ato janë të frikshme, janë miliona e miliarda. Askush nuk e di nëse prej tyre do të bien apo jo qeveri apo pushtete, por pyetja ime është një tjetër, pasi ndryshimet politike të ndodhin, a do të rikthehen paratë e vjedhura në buxhet, apo le t’i gëzojë kush qe i zoti e i vodhi?! /abcnews.al/