Pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti më 7 korrik protestën e parë e cila u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Që prej rikthimit të tij në parti një pjesë e konsiderueshme e demokratëve të rinj kanë vendosur ta “rreshtohen” pas tij dhe ta mbështesin në misionin e opozitarizmit.
Por çfarë i motivon të rinjtë demokratë që të mbështesin Sali Berishën? Kjo është tema e puntatës të sotme të emisionit “Log” në ekranin e Abc me gazetar Endri Xhafo.
Në lidhje me temën sekretarja e re e marrëdhënieve me publikun, Jola Hysaj pohoi se 60% e pjesëmarrësve në protestën e 7 korrikut ishin të rinj, duke hedhur poshtë mendimin se rinia shqiptare nuk përfshihet ne politikë.
“Jemi përballë një realiteti ku shqiptarët vuajnë politikat e qeverisjes, rritje çmimesh. Në dekadën e fundit tkurrja e popullsisë shqiptare ka qenë 15% . Në 2021 kemi gati 41 mijë të larguar. I ka përzënë papunësia dhe pasiguria e të jetuarit këtu. 60% të protestuesve në protestën e 7 korrikut ishin të moshës 18 deri 40 vjeç”, u shpreh në Log Jola Hysaj.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i forumit, Grigels Muçollari tha se Berisha po frymëzon të rinjtë që mos dorëzohen dhe që të bëjnë më të mirë për vendin dhe jetën e tyre.
“Nuk dua të bëj lavde, Berisha 10 muaj më parë vendosi të marrë fatin e vetë në dorë. Nga hiçi mori në dorë PD. Pjesëmarrësit treguan se shoqëria ka vendosur të ketë të drejtën për të vendosur. Njerëzit u frymëzuat nga Berisha”, tha Muçollari.
Ndërsa anëtari i Këshilit të PD-së Akil Kraja tha se me sjelljen e tyre protestuesit treguat se ishin patriotë, kombëtar me frymë perëndimore, duke hedhur në këtë mënyrë poshtë zërat për antiamerikanizëm./abcnews.al/

