Presidenti Stevo Pendarovski e cilësoi propozimin francez për heqjen e vetos bullgare si të pranueshëm, por gjithashtu nënvlerësoi pritjet se kjo do të përshpejtonte ndjeshëm procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se konsultimet për propozimin vazhdojnë, raporton EËB.
Dhjetëra mijëra maqedonas dolën në rrugë të shtunën, duke protestuar kundër propozimit francez dhe duke thënë se etnia dhe gjuha e tyre nuk janë për debat. Protestuesit mbanin pankarta që akuzonin Bullgarinë për “etnocid”.
Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez nuk do të jetë as një triumf historik.
“Për mendimin tim, bëhet fjalë për një kompromis kalimtar për një nga fazat e integrimit evropian, në të cilin janë tre elementë të rëndësishëm, prandaj propozimi, për mendimin tim, në këtë format është i pranueshëm në këtë fazë”, tha presidenti.
Elementi i parë, theksoi ai, është që me propozimin të hiqet bllokada bullgare që zgjat prej më shumë se dy vitesh dhe të hapen zyrtarisht negociatat pas 17 vitesh pritje. Së dyti, kjo mundëson një proces shqyrtimi që është një fazë e detyrueshme përpara negociatave për grupimet, më parë kapitujt.