Korniza e propozim-negociative për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, e prezantuar nga Presidenca franceze e Unionit, i është përcjellë legjislativit në Maqedoninë e Veriut për shqyrtim dhe konkluzione të mëtutjeshme në përputhje me procedurat.
Megjithatë, në ditët e fundit vendi ka qenë i përfshirë nga protesta deri-diku edhe të dhunshme. Në një lidhje direkte me emisionin “Ballkan”, analisti nga Shkupi, Xhelal Neziri u shpreh se këto protesta kanë potencialin që ta rrezikojnë procesin e integrimit të vendit.
Sipas tij, ka pasur raste që nga protesta kundër propozimit francez të ktheheshin në protesta anti-shqiptare. Analisti thotë se benzinën “zjarrit” të maqedonasve që janë të pakënaqur nga propozimi francez, po ia hedhin struktura pro-ruse.
“Propozimi francez do të mundësojë bllokadën bullgare në këtë luftë. Në gjithë këtë tollovi, natyrisht janë struktura që nuk dëshirojnë që rajoni, RMV të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Struktura që kanë aktivizuar të gjitha resurset e tyre këtu. Struktura pro-ruse, parti të vogla populiste, që nuk e fshehin lidhjen e tyre me Rusinë. Kishim protesta të dhunshme, mbrëmë situata ishte më e qetë. Por një ditë më parë protesta kishte premisa të kalonte në anti-shqiptare, pati edhe një moment kur protestuesit sulmuan disa biznese private në sheshin “Skënderbej”. Në një moment një prej tyre nxori revolën. Ka tendenca që konflikti të shkojë në terrenin e marrëdhënieve ndëretnike.”
Xhelal Neziri tregon po ashtu se tensioni ndaj shqiptarëve nuk është i ditëve të fundit, sipas tij, ka një lloj rrëfimi në publik që janë shqiptarët ata që në koordinim me Sofjen po “tentojnë të zhbëjnë identitetin e maqedonasve.” Dhe kritikat në këtë rast duket se i shkojnë ministrit Bujar Osmani.
“Të gjitha kritikat i shkojë Bujar Osmanit, përkatësia e tij etnike merret si një lloj baze për këto veprime që kanë për qëllim përçarjen.”
Sa i përket propozimit francez, të hënën ai pritet të kalojë për shqyrtim te Grupet Parlamentare. Por protestat vijojnë, dhe rreziku që situata të përshkallëzohet ekziston. Analisti nga Shkupi tha madje se presidenti i vendit e ka pranuar që ka njerëz që kanë ardhur nga një vend fqinj, duke nënkuptuar Serbinë, që po nxisin destabilitetin.
“Sot parlamenti e ka pranuar propozimin francez, nga e hëna do ta shqyrtojnë grupet parlamentare. Protestat vijojnë dhe kjo e mban rrezikun që situata të eskalojë. Dje presidenti konfirmoi dyshimet se strukturat janë jashtë BE e NATO-s. Ka njerëz që kanë ardhur nga një vend fqinj, duke aluduar Serbinë, dhe qëllimi i tyre është të nxisin sa më shumë dhunë e destabilizim. Është federata ruse ajo që po tenton që pakënaqësinë të një pjesë të popullsisë maqedonase ta materializojë për qëllimet e saj gjeopolitike. Vendin se përmendi, por supozohet se kanë ardhur nga Serbia.” /abcnews.al/