Sot u zhvillua mesha përkujtimore për Kostandin Kacifas i cili humbi jetën 6 muaj më parë në fshatin Bularat. Ndërsa në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë nga pala shqiptare u është refuzuar hyrja 9 grekëve. Minoritari grek gjeti vdekjen pas një shkembimi zjarri me forcat RENEA në fund të tetorit të kaluar.
Nëntë shtetas grekë nuk janë lejuar të hyjnë në territorin shqiptar nga policia e Kakavijës. Ata kishin mbërritur në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë përkujttimore të Kostandin Kacifas, i cili humbi jetën 6 muaj më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Pesë prej tyre janë kthyer mbrapsht me argumentin se cënonin sigurinë publike, 4 të tjerë për mosplotësim të kushteve për të hyrë në vendin tonë.
Policia kufitare që prej të premtes ka përforcuar masat në kufi për të ndaluar personat me precedentë apo që mund të shkaktonin trazira. Aty ishin vendosur edhe agjentë të antiterrorit të ardhur nga Tirana për të shmangur çdo incident të mundshëm. Mesha për minoritarin grek Kostandin Kacifas u zhvillua në kishën e Shën Athanasit, e cila ndodhet sipër fshatit Bularat. Në ceremoni foli nëna e tij e cila tha se djali i saj humbi jetën për Vorio Epirin.
Kostandin Kacifas u vra pas një shkëmbimi zjarri me policinë në fund të tetorit të vitit të kaluar.
Gazetar ABC News: Orges Sako
/ABC news Albania 24/7