Audio-regjistrimi/ Debati i ashpër 4 ditë para luftës, Macron tenton të shmangë pushtimin, Putin: Jam në palestër

schedule19:40 - 6 Korrik, 2022

schedule 19:40 - 6 Korrik, 2022

Një debat i “nxehtë” ka ndodhur mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe atij rus Vladimir Putin vetëm katër ditë përpara se Kremlini të niste pushtimin e Ukrainës. Biseda ka qenë e regjistruar dhe është zbuluar së fundmi nga mediat franceze. Në audio-regjistrim, Macron dëgjohet ndërsa sulmon homologun e tij lidhur me sugjerimet që ai duhej të negocionte me separatistët pro-rusë.

Debati i tensionuar përfundoi me Putinin që deklaroi se ishte në palestër për të luajtur hokej mbi akull, pasi hoqi dorë nga kërkesat për të mbajtur një takim me presidentin amerikan Joe Biden. Detajet telefonatës së mbajtur më 20 shkurtit u zbuluan nga transmetuesi France2 në një dokumentar mbi trajtimin e konfliktit nga presidenti francez me temë “Një President, Evropa dhe Lufta”.

Në diskutimin e zjarrtë, Macron i tha Putinit: “Nuk e di se ku e ka mësuar ligjin avokati juaj! Unë thjesht po shikoj tekstet dhe po përpiqem t’i zbatoj! Nuk e di se cili avokat do t’ju thotë se në një vend sovran, tekstet e ligjeve propozohen nga grupet separatiste dhe jo nga autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike”.

Në bisedën telefonike, gjatë së cilës Putin ishte duke u relaksuar, kreu i Kremlinit e përshkruan revolucionin e vitit 2014 që solli liderët properëndimorë në pushtet në Ukrainë si një grusht shteti dhe akuzon Volodymyr Zelensky-n për refuzimin e përfshirjes në dialog me separatistët pro-rusë.

“Kjo nuk është një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ata erdhën në pushtet me një grusht shteti, kishte njerëz të djegur të gjallë, ishte një gjakderdhje dhe Zelensky është një nga ata që janë përgjegjës”, i përgjigjet më pas Putini i tërbuar homologut të tij francez.

Kur lideri i Kremlinit i sugjeroi sërish Macron-it të negociojë me separatistët, francezi u shpreh me tone të larta: “Ne nuk na intereson fort për propozimet e separatistëve!” Të nesërmen e përplasjes me Macron, Putin doli dhe deklaroi se Rusia njeh Republikën Popullore të Donetsk dhe Republikën Popullore të Luhanskut dhe pushtimi filloi në mëngjesin e 24 shkurtit.

Në një pjesë tjetër të dokumentarit, telefonata e Zelenskit me Macron-in e tronditur zbulon shtrirjen e pushtimit rus në orët e para. Zelensky thotë: “Ata janë këtu dhe tani, në Kiev. Ne po luftojmë në Kiev”.

Një Macron i habitur përgjigjet: “Ata sollën forcat speciale dhe helikopterët apo…?”

Zelensky i përgjigjet: “Po, aeroplanë dhe helikopterë, gjithçka. E shohim në video. Ne shohim gjithçka”.

Ndërkohë për zbardhjen e bisedës është prononcuar edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se Rusia nuk kishte asgjë për t’u turpëruar nga përmbajtja e diskutimit, por e quajti publikimin një shkelje të ‘etiketës diplomatike’. /abcnews.al/