Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk ka ndërmend të ngutet në bisedimet tregtare me Kinën. Duke reaguar pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja, Trump ka nënvizuar se ato po i sjellin fitime kolosale Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk ka ndërmend të ngutet në finalizimin e një marrëveshjeje tregtare me Kinën. Reagimi i tij ka ardhur disa orë pasi Shtetet e Bashkuar rritën më shumë se dyfish tarifat mbi produktet kineze. Në një postim në rrjetin social Twitter, Trump tha se bisedimet dypalëshe po vazhdonin në mënyrë të pëlqyeshme.
“Bisedimet me Kinën po vazhdojnë në mënyrë të pëlqyeshme, por në asnjë mënyrë nuk ka nevojë për t’u nxituar, pasi tarifat që aktualisht Kina po i paguan Shteteve të Bashkuara janë 25 për qind për 250 miliardë dollarë mallra dhe produkte”, tha Trump.
Duke theksuar se këto të ardhura do t’i shkojnë buxhetit të shtetit, presidenti iu drejtua bizneseve amerikane që importojnë produkte nga Kina që të nxisin më shumë prodhimin vendas për të mos paguar kosto shtesë.
“Tarifat e reja do t’i sjellin vendit tonë shumë më tepër pasuri se çdo marrëveshje që mund të nënshkruhet”, tha më tej Trump në profilin e tij në Twitter.
Nga ana tjetër, shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Kinës që të mos rinegociojë marrëveshjet e arritura me Shtetet e Bashkuara në minutën e fundit.
Ndërkohë, analistë të shumtë në reagimet e tyre deklaruan se Trump gabon kur insiston se do të jetë Kina ajo që do të paguajë tarifat, pasi kostot do të bien mbi shpatullat e bizneseve amerikane./ABC News Albania 24/7