“Ultimatum? Jo, faleminderit!” Trazira në Shkup, përshkallëzohet protesta kundër propozimit francez: Xhama të thyer e fishekzjarre

schedule21:40 - 5 Korrik, 2022

schedule 21:40 - 5 Korrik, 2022

Në Maqedoninë e Veriut protestohet në ditën e katërt kundër propozimit francez, por mesa duket mbrëmjen e së martës situata është përshkallëzuar. Mediat në vend raportojnë për incidente jashtë ambienteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup.

Në drejtim të godinës së MPJ në shtetin fqinj janë hedhur mjete piroteknike, sende të forta si dhe letra higjienike. Protestuesit janë ndaluar edhe para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes së 5 korrikut.

Kjo është dita e katërt që në Shkup po mbahet protesta me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas

Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Sipas tyre, propozimi francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.

Gjatë protestës, policia në vend bëri të ditur po ashtu se kanë mbetur të lënduar katër policë.

22:08-Kundërshtohet propozimi francez, ende protestues në rrugët Shkupit

Vijon të ketë protestues në rrugët e Shkupit pas përpjekjeve të policisë për t’i shpërndarë pas përshkallëzimit të situatës. Mediat në vend raportojnë se situata para godinës së Kuvendit vijon të mbetet disi e tensionuar.

Tentativa të policisë për t’i shpërndarë, protestuesit u janë përgjigjur me me hedhje sendesh të forta drejt tyre si dhe mjete piroteknike.

Tashmë përballë Kuvendit është formuar një kordon i ri policor ndërsa nga pamjet shihen protestues që shoqërohen. Të lënduar thuhet të ketë mes policëve, disa prej të cilëve janë dërguar me autoambulancë drejt spitalit.

21:47-Përshkallëzohet situata në Shkup, protestuesit shembin barrikadën para Kuvendit

Një grup protestuesish kanë arritur të shembin gardhin metalik para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë se Veriut.

Sipas asaj që raportojnë mediat në vend, të tjerë hodhën fishekzjarre dhe shishe uji ndaj forcave të shumta të policisë. Këto të fundit janë vendosur në formacion për t’u mbrojtur nga objektet që fluturonin drejt tyre.

Ka pasur edhe protestues që u janë afruan oficerëve dhe kanë goditur rojet e sigurisë. Nga sendet e forta të hedhura janë dëmtuar disa xhama të Kuvendit të RMV-se.

21:43-Fake-news në mediat maqedonase, ngatërrojnë flamurin e Shqipërisë me atë të UÇK-së

Ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen protesta të dhunshme para parlamentit në Shkup, pasi qytetarët kanë dalë kundër propozimit francez për të zgjidhur ngërçin me Bullgarinë, mediat vendase kanë dalë me fake-news.

Sipas “skopje1.mk” shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të cilët mbajnë flamuj të UÇK-së në dorë, po bëjnë një kundër proteste, pasi ata mbështesin propozimin francez.

Në të vërtetë aty ka një protestë, por flamuri që qytetarët mbajnë në duar është ai i Shqipërisë dhe jo i UÇK-së, pasi tashmë prej shumë vitesh UÇK nuk vepron më në Maqedoninë e Veriut.

Por siç shihet dhe në video në protestë përveç flamurit kombëtar të Shqipërisë qëndron edhe flamuri i Maqedonisë së Veriut.

20:42-Vijojnë protestat në Shkup kundër propozimit francez

Në Shkup kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme protesta kundër propozimit francez për heqjen e betos bullgare, që i hap rrugë çeljes së negociatave.

Protestuesit fillimisht janë mbledhur para Qeverisë, e prej andej përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme do të shkojnë në Kuvend.

Sot është mbajtur takimi i Kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel me presidentin e vendit Stevo Pendarovskin, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me Kordinatorët e grupeve parlamentare ku është diskutuar për propozimin.

17:04-Kovaçevski: Të protestohet në mënyrë të maskuar, e palejueshme për vendin që kaloi 27 prillin

“Ajo që po ndodh para qeverisë është organizuar nga partitë politike që janë kundër NATO-s dhe BE-së. Maqedonia është vend demokratik, me legjislacion më të rregullt.” Kështu është shprehur ditën e sotme kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Ai theksoi se sot po përgatiten për diçka që nuk i takon një vendi anëtar të NATO-s gjatë protestave që janë planifikuar nga sonte në ora 19:00 para qeverisë.  Kovaçevski theksoi se çdokush mund të protestojë si ata që protestuan kur duhej të mbroheshin të drejtat e studentëve dhe profesorëve.

“Nuk ka ndodhur kurrë, veç një herë dhe tani për herë të dytë, që protestuesit me kapela të cilët qëllojnë ndaj policisë, të kemi plagosur policë. Çdokush mund të protestojë për çdo çështje. Por qëllimi, të vesh kapelë, të shkosh i maskuar, është i palejueshëm për vendin që kaloi 27 prillin.

Nuk duhet të përsëritet. Dje patë që policia u tërhoq. Këtu po diskutohet një propozim nga BE-ja. 27 vende anëtare, të përfaqësuara nga Michel, paraqitën një propozim për fillimin e negociatave. Secili prej nesh në këtë vend përfaqësohet nga deputetët në Kuvend, pavarësisht se cilës parti i përket. Të gjithë do të vendosim nëse duam negociata apo jo. Askush nuk fajëson policët që qëndruan pas Qeverisë duke kryer detyrën. Nuk ka faj as ndërtesa, sepse propozimi ka ardhur nga 27 shtete”, sqaroi Kovaçevski. /abcnews.al/