Ushtria ruse ka rrethuar qytetin lindor të Ukrainës, Lysychansk, i cili konsiderohet si bastioni i fundit i madh i Ukrainës në rajonin e Luhanskut, tha agjencia e lajmeve TASS, duke cituar ministrinë e Jashtme ruse.
BBC raporton se autoritetet ukrainase nuk kanë konfirmuar ende deklaratën e ministrisë ruse, raporton abcnews.al.
Kohët e fundit trupat ruse janë fokusuar në dëbimin e forcave ukrainase nga provincat Luhansk dhe Donetsk në Donbas.
Ndërkohë kujtojmë se më herët një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy pranoi se Lysychansk, qyteti i fundit i mbajtur nga Ukraina në rajonin e Luhansk, mund të bjerë në duart e forcave ruse ndërsa luftimet u intensifikuan këtë fundjavë.
Oleksiy Arestovych tha se forcat ruse kaluan lumin Siversky Donets, ndërsa po i afroheshin qytetit nga veriu.
Arestovych tha: “Ky është me të vërtetë një kërcënim. Unë nuk përjashtoj asgjë. Gjërat do të bëhen shumë më të qarta brenda një ose dy ditësh.”/abcnews.al/