Në ditën e Evropës Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë për TV Klan se është çështje javësh që BE-ja të fus në axhendë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ka dhjet vjet që qytetarëve të Kosovës u është premtuar disa herë liberalizimi i vizave. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në, përderisa shtetet fqinje ka një dekadë lëvizin pa viza. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se gjërat kanë ndryshuar për të mirë pas qëndrimit të qartë të Gjermanisë pro liberalizimit të vizave.
Ramush Haradinaj: “Deri më tani kryesuesit e BE-së kanë pritur me e futur në axhendë pa përkrahjen e ndonjë vendi të madh. Por po flasim për disa javë dhe nuk mund të them se në cilin ditë apo në cilin muaj, por mund të themi se gjendja ka ndryshuar thellësisht pas vendimit të qartë të Gjermanisë”.
Taulant Kryeziu nga institute Epic mendon se përveç Gjermanisë rol të rëndësishëm në këtë proces ka edhe Franca dhe Holanda. Premtimet për 10 vjet radhazi për liberalizim vizash më shumë i konsideron deklarata politike.
Taulant Kryeziu: “Ky proces është politizuar nga udhëheqësit institucional të vendit tonë. E kanë përdorur këtë proces polit8ikisht dhe kanë rritur pritshmërinë dhe në fund ka rezultuar me një flustrim të qytetarëve të vendit tonë dhe kjo është e pafalshme, e papranueshme”.
Analistja Besa Luzha shpreson se votimi për liberalizim vizash për Kosovën do të ndodh menjëherë pas zgjedhjeve në BE.
Besa Luzha: “Ministri i punëve të brendshme të Berlinit mundet me dhënë një dritë të gjelbër dhe kjo është shumë me rëndësi. Franca ka ende hezitim. Por nëse këto dy vende pajtohen se nuk ka më arsye, atëhrë shpresoj që gjatë verës kjo do të përfundojë”.
Pavarësisht izolimit të gjatë nga BE-ja Kosova e ka në kalendarin zyrtar të festave Ditën e Evropës./ABC News Albania 24/7