Totenhemi ishte mrekullia e dytë e Championsit, pas Liverpulit. Jehonë e madhe në të gjithë botën pas suksesit të skuadrës londineze ndaj Ajaksit dhe kualifikimit për në finale.
Nuk u desh të kalonte shumë kohë që këto skena të përsëriteshin.
Një tjetër mrekulli pritej të ndodhte në Ligën e Kampionëve, dhe strategu i saj u përmendi lojtarëve të tij pikërisht Liverpulin.
Totenhem Hotspuri në finalen angleze të Madridit do të thotë Championsi më i çmendur i të gjitha kohëve, me përmbysjet që nuk ishin parë kurrë.
Strategu i Totenhemit ishte pikërisht trajneri Maurisio Poçetino, që frymëzoi skuadrën për të fituar 3-2 në Amsterdam ndaj Ajaksit, edhe pasi humbi 0-1 ndeshjen e parë, edhe pasi humbi 0-2 pjesën e parë.
“Faleminderit futboll, – u shpreh ai në mes të emocioneve, – e kam të vështirë të flas, emocionet nuk po më lejojnë. Lojtarët e mi janë heronj, ndërsa Lukas Moura është superhero. Këtë e kam thënë që vjet. Është shumë e vështirë të konkurrosh në këtë nivel, dhe është fat i madh për mua që jam trajner i kësaj skuadre”.
Nëse Liverpulit I munguan Salah e Firmino, dhe kualifikimin ia dhanë Origi, Vajnaldum apo Shaqiri, Spërsat nuk kishin yllin kryesor, Harri Kejn, dhe triumfin e siguroi Lukas Moura.
Ai realizoi në minutat 55, 59 dhe 96, për fitoren 3-2.
Braziliani ishte pa asnjë dyshim, njeriu më i lumtur në stadium.
“Pa dyshim kjo është dita më e madhe e karrierës sime, – tha sulmuesi, – e pabesueshme të shënosh 3 gola në gjysmëfinale të Championsit. Një mbrëmje shumë emocionuese. Futbolli është i mrekullueshëm dhe të jep një moment kaq të veçantë sa ky”!
Gazetat në Angli, Holandë dhe gjithë Europën mbetën të mrekulluara.
“Deili Star”: Krejtësisht angleze! Moura ishte vendimtari, ndërsa Spërsat arritën finalen!
“Deili Meil”: Anglia mund të bëhet vendi I parë me të katër ekipet finaliste të kupave të Europës, nëse Arsenali dhe Çelsi kualifikohen!
Hidhërimi ishte I madh në Holandë pasi pesë herë kampionët e Europës dominuan pjesën e parë, duke shënuar me anë të kapitenit De Ligt dhe sulmuesit Zijeç.
Ata kishin fituar edhe në Londër me golin e De Bekut, por kjo nuk mjaftoi.
Gazeta “De Telegraf” thekson: Mallkimi I 8 majit godet përsëri Ajaksin! Në këtë datë ka humbur tituj apo është eleminuar në 1977, 1988, 1994, 2011, 2016 dhe 2019!
“L’Ekip” në Francë: Lukasi shekullor! Finalja e Championsit, pra, do të jetë 100 për qind angleze! Totenhemi u bashkua me Liverpulin pas një mrekullie të krahasueshme me atë të të kuqve!
“Marka” spanjolle perifrazon titullin e himnit britanik: Zot, ruaje Championsin! Një tjetër mbrëmje e pabesueshme tregoi se është një garë e papërsëritshme dhe e paprekshme!
“La Gazeta delo Sport” në Itali: Champions që nuk është parë kurrë! Totenhemi përmbys Ajaksin, finale me Liverpulin! Gol në minutën e 96-të!
“Bild” në Gjermani: Champions, mrekullia e radhës e gjysmëfinaleve! Dramë në minutat shtesë, Totenhemi përmbys Ajaksin me 3 gola!
Kënaqësi e madhe për argjentinasin Poçetino edhe nga Argjentina e tij.
Gazeta “Ole”: Poçetino në finale! Ata janë kampionët! Totenhemi rikuperoi 3 gola në 45 minuta, Europa do të jetë për anglezët!
Totenhemi arriti në finalen e parë të Championsit në histori, ndërsa do të ketë përballë një kundërshtar me shumë më tepër përvojë, si 9 herë finalisti Liverpul.
Gjithsesi, pas kësaj që ndodhi me Ajaksin, vetëm besimi që nuk mungon./ABC News Albania 24/7