Një televizion lokal në një qytet të Rusisë Qendrore, dha alarmin për një sulm kimik dhe bërthamor. Pas përhapjes së panikut në qytet, mbrojtja civile reagoi duke thënë se bëhej fjalë për prova të thjeshta teknike komunikimi.
Njësoj si në një film fantashkencor, në Tver, qytet i Rusisë Qendrore ku ka dhe një central bërthamor, një televizion lokal ndërpreu parpritur transmetimin, duke dhënë alarmin për sulm kimik dhe bërthamor. Mesazhi që shfaqej në ekranin e televizorit u bënte apel njerëzve të ruanin qetësinë, të fiknin dritat, gazin dhe ngrohjen, të merrnin dokumentet personale dhe të qëndronin në banesë me dyer të mbyllura. Në rast të një sulm bërthamor, banorëve u thuhej që të merrnin një ilaç me bazë Jodi. Menjëherë pas këtij lajmërimi në qytet u përhap paniku. Disa banorë që jetonin pranë qendrës bërthamore, shkruan në Tuiter se kjo nuk ishte aspak për të qeshur. Mbrojtja civile ndërhyu për të qetësuar njerëzit, duke shpjeguar se ishin thjesht prova teknike komunikimi, dhe se qyteti nuk po përballej me asnjë situatë të rrezikshme. /ABC News Albania 24/7