Ligjvënësit do të mblidhen këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë në orën 10:00. Gjatë seancës së sotme plenare pritet të miratohet akti normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit.
Nëpërmjet këtij akti qeveria kompenson ndërtuesit e kontratave publike nga 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut.
Megjithatë, kompensimi i çmimeve është kundërshtuar nga opozita. Në përfundim të seancës do të mund të bëhen diskutime për çështje që janë jashtë rendit të ditës. Ditën e sotme kryeministri Edi Rama nuk pritet të jetë prezent në diskutime pasi ndodhet në Madrid në Samitin e NATO-s.
18:49 – “Po hamë djathë me niseshte o të nderuar”, Korreshi ironizon qeverinë: Në Shqipëri ka vetëm aromë hashashi, s’ka më lopë
Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka ironizuar situatën në të cilën ndodhet blegtoria dhe bujqësia në vendin yonë.
Në fjalën e tij në kuvend sot, Korreshi tha se numri i bagëtive në vendin tonë është ulur dhe se qeveria nuk ka politika për të ndihmuar blegtorët.
Me tone të ashpra Korre4shi tha se në vendin tonë po lulëzon hashashi dhe jo punët e ndershme.
“Ne po hamë djathë me niseshte o të nderuar. Fshatari po blen qumësht në qytet, nuk ka më lopë. Ka vetëm aromë hashashi, ku janë lopët. Ku janë këto subvencionet e famshme, po nafta? Të gjithë ata të PS po e shesin naftën me 2 mijë lekë, këta të tjerët të shkretët s’kanë marrë pikë. Ky është realiteti. Sa mirë ju dolët e bëtë foto me shalqi para tre javësh. Shkoni pra sot e bëni ndonjë foto aty te tregu, se sa shitet shalqiri dhe a blihet. Sot duhet të keni guximin të shkoni, të shihni a u shit dhe a morën ndonjë kokërr leku ata të shkretët. Kush i ka, kush i mban, 7 mijë lekë është dengu i barit. Na vjen keq që kemi studiuar, e kemi qërruar sytë, kemi ndërruar 7 herë numrin e syzeve. Bëhemi si ato çunat e Londrës me 2 mln euro”, tha Korreshi.
18:20 – Miratohet akti për kompensimin e çmimeve për materialet e ndërtimit
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot aktin normativ për Kompensimin re çmimeve për materialet e ndërtimit.
Nëpërmjet këtij akti do të kompensohen nga shteti 300 kompani ndërtimi që kanë projekte publike.
Nëpërmjet akti tqeveria kompenson ndërtuesit e kontratave publike nga 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut.
109 në votim
75 pro
Kundër 33
1 abstenim
18:15 – “Sa më shumë futesh aq më thellë del”, Kryemadhi: Kompanitë e lidhura me inceneratorët, 189 milionë dollarë evazion fiskal
Kryetarja e LSi-së, Monika Kryemadhi gjatë fjalës së saj në Kuvend kur po diskutohej për aktin normativ për kompensimin e çmimeve ngriti pyetjen se kush do të jetë instrumenti që do të kontrollojë faturat.
Ajo u shpreh se është pozitiv fakti që qeveria do dëmshpërblejë kompanitë ndërtuese duke qenë se po përballen me rritjen e çmimjeve, por problemi qëndron te transparenca.
Kryemadhi: Në pamje të parë kur shikojmë aktin normativ që ka të bëjë me një rimbursim të një vlere deri 30 % për kompanitë e ndërtimit për veprat publike e shikon dhe mendon se jetojmë në Danimarkë në një shtet mjaft demokratik, në një ekonomi të barabartë në një konkurrencë. Sepse në kushtet sot kur çmimi i hekurit, çmimi i çimentos, i naftës janë rritur për shkak të luftës normalisht kjo pasojë do të ndjehet dhe tek veprat publike, siç janë shkollat, spitalet rrugët, urat e çdo gjë tjetër. Dhe nuk ka asnjë gjë të keqe në këtë këndvështrim sepse nëse toni hekurit kur janë lidhur kontratat për këto vepra ka qenë me 600 euro dhe tashmë është 1100-1200 nuk ka asgjë të keqe që qeveria të marrë përsipër një rimbursim në mënyrë që këto vepra të mbarohen sa më shpejt. Do të ishte mirë që kjo të bëhej dhe për sistemin arsimor duke pasur parasysh që me rritjen e çmimit të naftës nxënësit e kanë shumë të vështirë të shkolla. Do të ishte një gjë shumë e mirë për shëndetësinë, do të ishte një gjë shumë e mirë për pensionistët. Do të ishte shumë e mirë për firmat e ndërtimit që iu shesin apartamente shqiptarëve. Për fermerët, për bujqit për të gjitha bizneset e tjera. Që të bëhej një amendament, një akt normativ për të subvencionuar bizneset shqiptare.
Kryemadhi u shpreh se dyshimi fillon pikërisht në momentin kur ngrihet pyetja se kush do konrollojë faturat. Kryemadhi publikoi shifrën, duke thënë se janë 189 mln euro përvetësim i paligjshëm i kompanive që kanë punuar për inceneratorët.
Kryemadhi: Por, dyshimi fillon në momentin që kush do të jetë instrumenti që do të kontrollojë faturat. Kush do ta kontrollojë që kompania x ata që ka marrë tenderat publikë me 99% të vlerës do të tregojë faturat e vërteta. Nga eksperienca ime nga investimi që kemi bërë me çështjen e inceneratorëve që e kam thënë gjithmonë që sa më shumë futesh aq më thellë del, po ju jap një shifër që sot e kam përfundimisht zyrtare. Skema e kompanive të krijuara për evazion fiskal dhe shumë shpejt do t’i drejtohet edhe SPAK-ut për tu bashkangjitur padive të tjera. Për përvetësim të paligjshëm të TVSH është 189 milionë dollarë, vetëm kompani që kanë punuar me inceneratorët. Pra, në këto kompani janë dhe 99.99 % të kompanive që do të përfitojnë sot nga ky akt normativ. Të dashur kolegë dhe gazetarë këto janë më fatura dhe me data. Këto kompani kanë blerë miell, vaj, sheqer, oriz, kripë dhe kanë shitur zhavorr edhe beton. Ka tre grupe, është grupi i kompanive shqiptare të cilat nuk përballojnë dot tatimin mbi fitimin, dhe rrisin me fatura të fryra shpenzimet. Ka një grup tjetër që fitojnë koncesione me nga 40 milionë euro kilometrin, apo 300 milionë euro koncesione dhe përveçse bëjnë fatura të fryra grabisin paratë nga buxheti i shtetit dhe përveç kësaj shmangin dhe pagesën e TVSH, marrin dhe rimbursim të TVSH janë dy kompani të tjera që janë të lidhura drejtëpërsëdrejti me inceneratorët. Përveç këtij fakti që shikoni këto kompani që do të jënë shumë shpejt të të gjithë mediat e tjera.
17:01 – Balla jep lajmin e mirë: Javën e ardhshme konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe MV
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga Foltorja e Kuvendit ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët.
Ai u shpreh se ka një dakordësi të 27 vendeve të Bashkimit Evropian për të mbajtur javën e ardhshme konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Balla: Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë nuk e kanë me ne, e kanë me shqiptarët.
14:48 – Berisha: Në spital mungon insulina. Manastirliu: Mos gënje, të gjithë të njohin Sali Gërdeci
Kreu i PD, Sali Berisha është përplasur në Kuvendi me Minsitren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Berisha tha se në spitalet shqiptare mungon insulina, çka e vështirëson shumë jetën për personat e prekur nga diabeti.
“A e dini që prej një jave në spitalet shqiptare nuk ka insulinë për të sëmurët me diabet”, tha Berisha.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministres e cila deklaroi se kjo ëhstë krejtësisht e pavërtetë, pasi në librin e barnave të rimbursueshme janë 17 lloje insulinash.
Sipas saj Berisha kërkojnë që njerëzve tu fshihet kujtesa, por të gjithë e mbajnë mend atë si Sali Gërdeci.
“Nuk do bëj replikë se ne e dimë që personi që del këtu dhe thotë të pavërtetën dhe shpreson që njerëzve tu fshihet kujtesa. Njerëzit e mbajnë mend shumë mirë se si e keni lënë shëndetësisë. Në librin e barnave të rimbursueshme janë 17 lloj insulinash. Meqenëse përmendët edhe procedurat ligjore që ndjekin spitalet tona, unë ju ftoj që mos gënjeni për tu bërë kryelajm, koha juaj ka ikur njëherë e mirë. Shqiptarët ju mbajnë mend si njeriu i gërdecit, i 97-s, si njeriu që shkatërroi edhe shëndetësinë”, tha Manastirliu.
16:39 – Berisha sulmon Ballën: Do dalësh në kërkim si Gentian Sharra. Spiropali: Jeni bërë si i mbyturi që të mbyt
Kryetari i PD, Sali Berisha, duke folur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi se sot situata në bujqësi dhe blegtori është shumë e rëndë.
Ndërkohë sulmoi dhe kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Ballën, të cilin e etiketoi me emrin e Gentian Sharrës, të cilit një muaj më parë SPAK i sekuestroi 5 milionë euro pasuri pasi dyshohet se janë vënë nga krimi.
“Gentian Sharra ka deklaruar se Berisha ka tokë në Tiranë në Dhërmi dhe në Lalzz. Ai do ketë 6 padi 3 civile e 3 penale. Shumë shpejt do të dalë dhe ai në kërkim si Gentian Sharra i tij”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrja e Shtetit dhe Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tha se gjuha e ç’thurur e demokratëve në Kuvend tregon se sa të babëzitur janë ata për pushtet, dhe se çdo akuzë që hedhin ndaj socialistëve, janë gjërat që ata ëndërrojnë t’i bëjnë sapo të marrin pushtetit, por që për ta është ende vite dritë larg.
“Nëse ka një stoli të cilës i është rënë në qafë në këtë Kuvend ajo është fjala e gjuhës shqipe. Të errur nga inati se sa më shumë përparojnë në luftën e tyre të brendshme, aq më shumë i largohen pushtetit që ëndërrojnë të bëjnë gjërat që po përmendin këtu. Ata kujtojnë se të gjitha gjërat që i bëjnë vetë ose do të donin ti bënin vetë, kujtojnë se i bëjmë ne. Nuk ka krim më të madh se ta kthesh sallën e Kuvendit të Shqipërisë në një arenë të tillë të shpërfytyrimit të gjuhës shqipe. Ne sot duhet të diskutonim me gjuhën që na takon si deputet,. Por ju jeni kapur pas flokëve të Saliut si i mbyturi që mbyt. Sa më shumë ju kapen në flokët e tij dhe flisni për qytetarët , por për qytetarët jemi ne që kemi qenë në krah të tyre, asnjë ditë të vetme si kemi lënë vetëm. Ju nuk merreni me qytetarët, ju doni të nxisni turmat që të shpëtoni Saliun”, tha Spiropali.
15:00 –Salianji, akuza qeverisë: Nuk keni hallin e qytetarëve, paratë ua jepni një grupi oligarkësh
Deputeti demokrat Ervin Salianji, nga foltorja e Kuvendit, ka akuzuar qeverinë se po “ushqen” një grusht personash dhe po lë në mjerim pjesën më të madhe të qytetarëve. Ndërsa solli në vëmendje deklaratat e ministrave që thanë sot se ka rritje të prodhimit të misrit e të grurit, Salianji pyeti se çfarë roli ka qeveria në këtë mes, pasi sipas tij, ndihma për fermerët e blegtorët ka qenë inekzistente.
“Gruri ka qenë i mbarë, misri është rritur, ku hyn qeveria këtu? Si i ka ndihmuar qeveria fermerët. Po çmimi i plehrave kimikë, po farat? Po çmimi i naftës?”
Më tej, Salianji kujtoi se dy rastet e sulmeve me tritol që iu bënë dy drejtorëve, një në Shkodër e një në Sarandë.
“Tritol në Shkodër, tritol në Sarandë. Ose këta janë njerëz të lidhur me krimin, ose autoriteti i shtetit merret nëpër këmbë nga bandidtët.”
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se në këtë kohë krize po pasurohet ndërsa për qytetarët e thjeshtë jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë.
“Ç’është bërë në këtë kohë krize, paratë që merrni ua merrni akoma më shumë njerëzve. Paratë që po ua jepni një grupi oligarkësh do të mjaftonin që profesioneve të lira mos u rriten taksat. Nuk ka prioritete, kjo qeveri nuk ka hallin e qytetarëve.”
11:43 – Paralajmëroi lajme të mira, Tabaku ironizon Ramën: Rrofsh sa malet o shoku Edi!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ironizuar kryeministrin Edi Rama, pasi ky i fundit paralajmëroi sot lajme të mira për çështjen e negociatave.
Tabaku, thotë se atë lajm shqiptarët që ikin sot nga vendi, duhet ta kishin marrë kur ishin ende të vegjël.
“Lideri na ka njoftuar se mbase do kemi një lajm të mirë! Rrofsh sa malet o shoku Edi po atë lajm shqiptarët që ikin sot nga vendi, duhet ta kishin marrë kur ishin ende të vegjël! Megjithatë ishalla ke qëlluar në shenjë kësaj radhe, se ke festu shpesh po lajmi s’ka ardhur!”, shkruan Tabaku.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë lajmi i mirë që ka paralajmëruar kryeministri. Ndërkohë, Bullgaria ka njoftuar heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, duke zhbllokuar në këtë mënyrë procesin e çeljes së negociatave.
Kujtojmë se Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e çështjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duke ngjallur shpresa se deri në fund të këtij muaji mund të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE.
Propozimi i Francës për heqjen e vetos bullgare parasheh që kërkesat e palës bullgare të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja të jetë garantuese për realizimin e tyre.
14:14 – Tabaku: Qeveria u ka dhënë personave nën hetim 18.6 mln euro nga paratë e rindërtimit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka thënë në Kuvend se qeveria u ka dhënë 18.6 milionë euro nga paratë e rindëritmit, personave që janë nën hetim nga prokuroria.
Gjatë diksutimit për aktin normativ për kompensimin e çmimit për materialet e ndërtimit, Tabaku tha se me këtë akt qeveria po sigurohet që këtyre personave mos t’u mungojnë të ardhurat.
Ndër të tjera, Tabaku tha se oligarkët paguajnë për të kaluar ligje në parlament, duke e quajtur këtë korrupsionin në nivelin më të lartë.
“Kanë bërë një akt që ka hyrë në fuqi ndërkohë që kanë nisur të paguajnë kompanitë. Së dyti akti sjell amnisti indirekte të detyrimeve të firmave. Vonesa në përfundimin e veprave publike dënohet me penalitete. Me këtë akt amnistohen kompanitë që kanë vonesa.
Kam raste pa fund të kompanitë të përfshira në rindërtimin.
Nga ana tjetër, kompanitë përveç faktit që tenderat janë dhënë me 99 përqind të vlerës, kanë lidhje me qeverinë.
Rruga Kardhiq-Delvinë dhe shumë raste të tjera i kam denoncuar. Abuzimi më i madh është për kompanitë që kanë pronarë persona në kërkim, të hetuar të gjykuar për trafik ndërkombëtar droge. E dini ç’bën kjo qeveri? 18.6 milion euro janë dhënë për kompani e persona që janë në hetim. Me aktin qeveria kujdeset t’i sigurojë fitime e mos i mungojnë të ardhurat. Kur i thonim ne qeverisë që çmimet po rriten thoshte jo. Sot doli ministrja tha janë rritur që në shtator. Çfarë lufte kishte në shtator?
Pak ditë më parë bashkë me zonjën Felaj diskutuar rezultatet e një sondazhi për korrupsionin, ishte një këmbanë alarmi. Ajo që është e rëndësishme është që oligarkët paguajnë për të kaluar ligje në Parlament. Kjo është kapja e shtetit në nivelin më të larta. Ky është korrupsioni në nivelin më të lartë.
Nga korrupsioni i banaqeve është kaluar në korrupsion politik, ku kompani kërkojnë mbështetje e sjellin këtu rritje buxheti për to, ndërkohë që kjo ndihmë e mëshirë nuk i jepet askujt prej qytetarëve në nevojë. Votimi kundër aktit është nder që i bëjmë qytetarëve”, tha Tabaku.
Në seancën plenare të së enjtes në Kuvend, ministrat e qeverisë Rama kanë vijuar të përmendin se pavarësisht krizës që ka prekur botën si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia shqiptare nuk ka pasur luhatje. Përkundrazi, sipas ministrave, kemi rritje.
Po ashtu, sipas ministres Frida Krifca ky ka qenë një vit i mirë edhe për fermerët e blegtorët, pasi “bujqësia dhe blegtoria kanë pësuar rritje.”
Ministrja bëri të ditur se prodhimi i grurit ka qenë i mbarë, e misrit po ashtu, dhe shifrat janë në rritje tani që po bëhet edhe korrja.
“Prodhimi bujqësor në vend ka vijuar të rritet… Prodhimi i grurit ka qenë i mbarë. Sipërfaqja e mbjellë me misër është më e lartë nga vitet e shkuara. Vijon korrja e grurit, po ndjekim nga afër dinamikën e funksionimit të tregut….Pavarësisht krizave, bujqësia shqiptare vijon të tregojnë qëndrueshmëri të lartë kemi konsolidim të mëtejeshëm të fermave.”
Ndërsa citonte shifrat e INSTAT, Krifca tha se rritje ka pësuar prodhimi i perimeve, bimëve mjekësore dhe aromatike, rritje kanë pësuar eksportet etj. Dhe, trendi sipas saj do të vijojë të jetë në rritje.
Të gjitha këto, sipas ministres kanë ardhur si rrjedhojë e politikave të ndjekura nga qeveria.
“Vit i mirë për fermerët dhe në prodhim dhe në çmim. Nuk ka ndodhur vetëvetiu po rrjedhojë investimeve strategjike të ndërmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit. Blegtoria mbulon mbi 97 për qind të nevojave të vendit për qumësht e nënproduktet. Është rritur numri i fermave të mesme e të mëdha.”
Deputeti demokrat Dashnor Sula ka folur me tone të ashpra në Kuvend, ku po diskutohet për miratimin e aktit normativ për kompensimin e çmimit të disa materialeve të ndërtimit.
Sula tha se qeveria i bën aktet normative për interesat e veta, ndërsa vuri në dukje se nuk ka pasur ndihmë për qytetarët që përballen me rritjen e çmimeve.
“Ky akt normativ që kemi këtu sot për miratim, unë mendoj që nga pikëpamja nuk është gabim, por mënyra si i serviret parlamentit, duke marrë parasysh që qveria ka bërë 112 akte normative. Më gjeni një akt normativ që e ka rrëzuar parlamenti.
Qeveria i bën aktet sipas interesave të veta. Nuk jemi kundër se e dimë që kompanitë duhet të indeksohen, por pse duhet të indeksohen vetëm kompanitë dhe jo qytetarët e thjeshtë që blejnë çdo ditë me çmime të larta. I drejtohem ministers së Financave, çfarë kategorishë ke kapur? Pensionistëve u ke dhënë 90 mijë lekë për tre muaj. Po shtresat në nevojë? Me 80 mijë lekë të vjetra do mbahet një familje. Më gjeni të keni dhënë një lekë tjetër më shumë?
Na vini këtu e na thoni gjëra që nuk janë të vërteta. E dini ju që po ato kompani janë ato që ndërtojnë kullat këtu? A e dini ju që minimum 4 kate janë pa leje? A e dini ju, ato kullat që ndërtohen te liqeni ça janë? Që janë pa leje? Ta kundërshtojë njeri. Dhe ju merrni fshatarin e fusni në burg për çatinë dhe avllinë.
Ato biznesmenë të ndershëm që punojnë me drejtësi, atyre u takojnë. Për kompanitë e rindërtimit a e dini që 8 janë me probleme penale? A e dini ju që Kajmaku u kap me 20 kg kokainë. Vetëm ju ju qëllojnë drejtorat që bëjnë trafik kokaine? Pse nuk i qëllojnë opozitës?”, tha Sula.
11:58- Korreshi konfirmon pjesëmarrjen në protestë, po mendjen e ka te kostumi: Duhet depiluar këmba
Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi konfirmoi edhe njëherë se do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut të thirrur nga Sali Berisha. Sakaq, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit ai ironizoi sërish futjen në listën si organizator i protestës, duke thënë se “nuk ua kanë marrë masën e kostumit”.
“Masë për kostum nuk na kanë marrë me thënë të drejtën, nuk e di si do e qepin, por për të marrë pjesë në protestë unë kam thënë nuk e ndërroj, do të marr”, u shpreh Korreshi.
I pyetur nëse do të punojë me strukturat në Lushnje, ai tha se kjo është e vështirë pasi demokratët janë të ndarë. Korreshi shtoi se zgjidhja është që në protestë të merret pjesë si demokrat.
Strukturat janë dyzuar, të pyesin jo po me kë je ti. Nuk të pyesin më a je kundër qeverisë, po a je me Lulin apo me Saliun. Ka ngelur një pyetje që do zgjidhje.
Dhe unë mendoj se duhet të ketë një zgjidhje në Partinë Demokratike dhe nuk ka më struktura, ka demokratë, njerëz kundër kësaj qeverie që duan të vinë protestë. Kjo është zgjidhja që të shkohet në protestë kundër qeverisë, jo se je me njërin apo me tjetrin”, tha ai.
I pyetur gjithashtu se për batutën e tij nëse “do ta pranonte kostumin sido që të ishte”, deputeti u përgjigj: “Po tani nëse do të jetë një këmbë më i shkurtër një më i gjatë nuk shkon, jo për gjë, por duhet depiluar pastaj.”
11:56- “Nuk bëhet politikë në kohë krize”, Gjylameti thirrje pozitës: Ndajeni mendjen, për kë jeni këtu?
Deputetja socialiste Blerina Gjylamenti u ka bërë thirrje kolegëve të opozitës që të votojnë aktin normativ për kompensimin e çmimeve për disa materiale ndërtimi.
Nga foltorja e Kuvendit, ajo tha se në këto raste qeveria dhe opozita duhet të bëhen bashkë, ndërsa shtoi se duhet ngritur niveli i debatit.
“Nuk e kuptoj çoroditjen totale që kanë disa kolegë të opozitës. Kemi diksutime shumë të mëdha se pse duhet si qeveri duhet të ndërhynim për kontratat në disa sekotrë që janë kyç për ekonominë. Ndërkohë dëgjojmë një çoroditje totale. E kuptoj që ka një çoroditje totale. Kemi patur paketat që janë në mbështetje të familjeve, bizneseve të vogla. Mbështetëm të gjitha familjet për kompensimin e shportës. Ndajeni mendjen, për kë jeni këtu, ndajeni mendjen për çfarë doni të diskutoni. Ua kuptojmë hallin, por nuk ua zgjidhim dot.
Pse nuk ngrihemi në nivelin e një debati konstruktiv në komisione dhe në seancë. Në këto situata të vështira ajo që duhet t’i bëjë bashkë ata që njerëzit i kanë zgjedhur, duhet të jetë interesi i njerëzve. Nuk bëhet politikë në kohë krize. Bëhemi bashkë të diskutojmë, çfarë duhet të bëjmë. A mjaftojnë ndërhyrjet që ka bërë qeveria, a duhet të vijojmë më tutje.
Duhet të kemi diskutime çfarë duhet të bëjmë nëse kriza vazhdon. Çmimet do rriten se nuk janë në dorën tonë. Kolegë të opozitës, ka nga ju që jua dëgjoj shumë mendimin, por ka kolegë tuaj që nuk marrin vesh nga ekonomia dhe marrin përsipër të flasin për teori ekonmike që ende nuk janë shpikur.
Keni qenë në qeveri, pse nuk keni bërë paketa sociale për njerëzit në nevojë? Pse nuk keni zgjidhur ato problematika që kanë qenë të atyre njerëzve që ju kanë votuar. Kemi 9 vite që ju dëgjojmë që anatemoni çdo politikë që ndërmerr kjo qeveri. Në situata të jashtëakonshme duhet të jemi bashkë. Prandaj politikat e qeverisë kanë treguar që janë të duhurat. Kemi rritje ekonomike më të lartë në krahasim me rajonin. Të nderuar kolegë, ekonomia është dhe sensitivitet, boll me këtë thirrje negative, të qarit dhe të ulëriturit për çdo gjë që po ndodh në këtë vend. Hajde të bëhemi bashkë për të zgjidhur problematikat që kemi.
Unë them që të shikojmë me vemendje aktin normativ, nuk është rast për të votuar kundër, por për të kuptuar që në situate të jashtëzakosnhme, njerëzit duhet të ngrihen në nivel që të përfaqësojnë ata që i kanë votuar, të marrin vendime të jashtëzakonshme”, tha Gjylameti.
11:41- Xhaferaj nuk merr pjesë në protestë: 7 korriku, jo për qytetarët, por për probleme personale
Deputeti Ferdinand Xhaferaj nuk do të jetë i pranishëm në protestën e 7 korrikut të thirrur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Këtë e ka bërë të ditur vetë deputeti demokrat për gazetarët para Kuvendit.
Për Xhaferajn protesta nuk po bëhet për problematikat që shqetësojnë qytetarët,” por për probleme personale.”
“Ne jemi dakord për protesta por kjo protestë nuk ka të bëjë me problemet e qytetarëve. Unë nuk marr pjesë. Zoti Rama po bëhet 10 vite që ia nxin jetën qytetarëve ne nuk bëjmë protestë nëse na nxihet emri jonë. Jam këtu për të sqaruar qytetarët se nuk ka të bëjë me problemet e qytetarëve. Nëse duam të shpëtojmë të djathtën Berisha duhet të bëjë një hap pas. Rama nuk ka rritur çmimet tani, po bëhen 10 vite, po nuk mund të dalim në protestë ku na nxihet emri jonë”, tha ai.
Më herët prezencën në protestë e kanë konfirmuar kreu i PPA, Agron Duka, deputetja demokrate Grida Duma, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe Nard Ndoka.
Edhe deputeti Gazment Bardhi, është kundër protestave të organizuara nga Sali Berisha. Bardhi në një prononcim për mediat para se të hynte në seancë plenar ka ironizuar protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha. Sipas Bardhit ka gjithmonë një arsye për të protestuar por shtoi se ai qëndron në krah të qytetarëve dhe jo të non gratave.
Nga ana tjetër protestës do i bashkohen edhe Ina Zhupa me Xhelal Mziun. “Më datë 7 korrik, çdo opozitar, çdo qytetar i pakënaqur nga kjo qeverisje, çdo socialist i ndershëm, çdo njeri që i ka ardhur deri në fyt duke i vënë shkelmin kjo lloj qeverisjeje duhet të vijë në shesh dhe të protestojë.
Detyra minimale e çdo deputeti, i cili është përfaqësuesi i popullit që ka marrë votat opozitare është që të jetë organizator dhe pjesëmarrës në protestë. Deputetët në qarqet e tyre përfaqësojnë ata qytetarë opozitarë që i kanë zgjedhur dhe është detyra e tyre funksionale si deputet për të qenë në grupet e punës.
Ne e kemi nisur punën 4 deputetët e Vlorës kemi qenë për t’iu bashkuar protestës dhe këtu nuk kemi qenë të ndarë. Në bindjen tonë ne mund të mbështesim njërin apo tjetrin, por kur vjen puna për të mbështetur qytetarët ne jemi të bashkuar”, tha Ina Zhupa
“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit.
Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa I përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.
Deputetja Flutura Açka tha se nuk do të jetë fizikisht në Tiranë në datë 7 korrik, por theksoi se protestën e saj e ka bërë çdo ditë me fjalë. “Unë nuk jam personalisht por çdo qytetar është i lirë të protestojë.
Qytetari është i lirë të protestojë pastaj unë kam qenë prej 30 vitesh në të gjitha protestat jo vetëm të PD e opozitës por në protestat e shoqërisë civile, është në natyrën time të protestoj. Pastaj nuk është e thënë jam apo s’jam fizikisht, protestat e mia i kam bërë me fjalë çdo ditë” tha ajo.
11:35- Grida Duma: Po kompensoni kampanitë e mëdha që e kanë tregun të sigurt
Në Kuvend diskutohet sot akti normativ për kompensimin e çmimeve për materialet e ndërtimit. Gjatë fjalës së saj deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se qeveria po kompenson kompanitë e mëdha që e kanë tregun të sigurt, ndërsa nuk ka asnjë kompensim për punëtorët.
“Ju jeni të majtë? Ju që keni dhënë me koncesion Shqipërinë. Si ka mundësi këta që duhet të kenë pronar votuesin, ndërkohë pronar i vetëm ishte kryeaksioneri i peshqve të mëdhenj. Është bërë një seancë plenare, 140 deputetë janë mbledhur që ca kompani të mëdha që gjoja bëjnë sofizma të njohjes ekonomike. Ju jeni mbledhur që më të pasurit, ju japin urdhra dhe ju që të vini në komisione, ndërkohë që shqetësoheni që aksionerët e mëdhenj po i marrin apo jo rimbursimet.
Asnjë kompensim për pagën, por ta punëtorët, po ju që nuk vini kurrë te këto komisione për të diskutuar për minimumin jetik.
Votojini sot për ato dhjetë që ju kanë sjellë këtu në rresht. Dhe vazhdoni mos të votoni për ata miliona. I keni njerëzit rrugës”, tha Duma.
Në seancën e sotme plenare, ndër të tjera, pritet të miratohet akti normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Nëpërmjet këtij akti qeveria kompenson ndërtuesit e kontratave publike nga 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut
Në fjalën e tij nga Foltorja e Parlamentit, zv/kryeministri Arben Ahmetaj ndërsa drejtohej nga opozita dhe i pyeste me ironi që të ndajnë mendjen nëse janë të djathtë apo “gjysmë të djathtë” theksoi se PS është e majtë dhe për këtë arsye do të ndihmojë shtresat në nevojë.
Ndërsa përshkruante mënyrën sesi qeveria i është përgjigjur krizës së çmimeve pas pushtimit të Ukrainës, Ahmetaj shtoi se shumë shpejt do të shtohen edhe 500 milionë lekë për naftën e fermerëve.
Më 7 korrik është paralajmëruar nga opozita një protestë për situatën e çmimeve në vend, por për zv/kryeministrin duket se situata është krejt tjetër. Ai u shpreh se ekonomia “si askund tjetër” është në rritje.
Krahas blegtorisë, edhe bujqësia sipas Ahmetajt po sheh rritje të prodhimit, “pavarësisht situatës.”
“Invazioni rus në Ukrainë. Sot, shqyr zotit keni lexuar 7 faqe dhe keni gjetur që gjithë bota e ka pranuar që kriza e çmimeve është pasojë e invazionit rus. Qeveria bëri një paketë injektuese për qytetarët në nevojë e pensionistët. Filozofia nuk ndryshoi. Çmimet e energjisë i mbajtëm si asgjëkundi tjetër të pandryshuara. Shumë shpejt do të shtojmë edhe një 500 milionsh për naftën e fermerëve. Ju me demek të djathtët duhet ta vendosni…Investimet publike kanë një ngërç sepse vjen nga çmimet. Çfarë bën qeveria kompenson në favor të të mirës publike. Ekonomia është në rritje. E vetmja ekonomi në rajon që ka mbajtur ritmin gati 6%. Nga vjen kjo, nga fryma e Zotit? Nuk ka këtu kontribut injektimi i qeverisë? Edhe bujqësia, veç blegtorisë ka rritje të ndjeshme në prodhim. Nga se vjen kjo? Kjo vjen për shkak të politikave injektuese subvencionuese fiskale. Cila është arsyeja që janë rritur investimet? Është rekord injektimi…Po vendoseni, nëse jeni të majytë, gjys të djathtë. Ne jemi të majtë dhe do t’i mbështesim të gjithë qytetarët në nevojë. Do vazhdojmë me paketë të re nëse do të jetë nevoja në nevojë.”
Ahmetaj u ktheu përgjigje edhe atyre që thonë se Shqipëria radhitet mes vendeve me çmimin më të lartë të naftës. Sipas zv/kryeministrit ka shtete të Evropës që i kanë çmimet edhe më të larta.
Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka pyetur ministren e Financave, Delina Ibrahimajn në lidhje me kontratat që përfitojnë nga akti normative për kompensimin e çmimit të disa materialeve të ndërtimit.
Çupi kërkoi gjithashtu të dinte emrat e përfituesve, duke thënë se ka të drejtën ta bëjë këtë pyetje, kur shikon që banorët në qarkun ku ajo është deputete jetojnë në varfëri.
“Akti normativ për kompesnmimin është prezantuar dhe në komisionin e ligjeve dhe përfaqësueseve të qeverisë u janë bërë disa pyetjeve. I kam pyetur sa është numri i kotratave dhe emrat që përfitojnë sa është fondi total dhe më janë përgjigjur vetëm për dy pyetjet e para. Nuk kam marrë akoma përgjije për të dyja të tjerat. Përfaqësuesit e qarkut Dibër që është më i varfri, minatorët e Bulqizës që shikojnë ku shkojnë këto 6 miliardë lekë ndërkohë që ata janë në varfëri, sigurisht që kam të drejtën të bëjë pyetje. Sa është numri i kontratave që përfitojnë nga ky akt normativ dhe emrat e tyre?”, tha deputetja.
Ndërkohë, ministrja, në përgjigje të Çupit tha se përfitojnë rreth 300 kompani, ndërsa fondi maksimal është 6 miliardë lekë.
“Prej fillimi të agresionit rus ndaj Ukrainës, të gjithë ne në mënyrë të vazhdueshme kemi diskutuar gjatë pasojat e luftës, masat që mund të merren për parandalikin e tyre. Ky akt është pjesë e paketës antikrizë, me qëllim reduktimin e efekteve negative që pasojat e luftës do sjellin te ne. Konkretisht propozohet zgjidhja e problematikave të krijuara nga rritja e çmimit të hekurit, bakrit, bitumi, etj. Rritja filloi që në vitin 202. Në shqipëri, nga vitit 20220 deri në 3 mujorin e parë të 2022, çmimet e çimentos janë rritur mbi 47%, të hekurit me 26.6%.
Rritja e çmimeve ka ngadalësuar një pjesë të amdhe të kontratave publike. Kjo situatë do detyronte ndërprerjen e punimeve dhe do kishim ngadalësimi të realizmit të objekteve që janë parashuikuar dhe nxjerrjen në papunësi të punonjësve që janë të angazhuar në këto punime.
Ne po mbështesim ato biznese që të mbajnë normat e puënsimit. Ky akt prek investimet në infrastrukturë dhe në rindërtim. Unë do e klasifikoja si emergjencë kombëtare ndërhyrjen në këtë sektor. Kompensimi është nga 5-30%. Përfitues janë rreth 300 kompani, një numër i lartë kontratash që janë lidhur prej filimit të përcaktimit të aktit. Efekti maksimal i ndikimit në buxhet është 6 mld lekë. Ne do të njohim deri në 30% të shpenzimeve që janë të lidhura me këto produkte”, tha ministrja.
Deputeti i PD-së Ervin Salianji u shpreh se do të marrë pjesë në protestën e Sali Berishës që do të organizohet në datë 7 korrik.
Salianji deklaroi se i qëndron deklaratave të bëra pas 6 marsit, por që gjithmonë do të jetë në të njëjtën linjë me demokratët dhe votën e tyre të lirë.
“Secili të bëjë maksimumim, përgjegjësia bie mbi ata që e kanë organizuar, ajo që ka rëndësi është qe Shqipëria ka një mijë e një arsye për të protestuar. Kjo është arsyeja e kësaj forme reagimi, sepse vendi ndodhet në gjendje te mjerueshme ekonomike.
Demokratët nuk janë as kishë as xhami, unë s’kam ndryshuar asnjë qëndrimi që kam bërë pas 6 marsit, e ritheksoj unë kam bërë një betejë për demokratët, unë do të jem me ta, jam i privilegjuar që jam votuar në Korçë me numër masiv votash”, tha Salianji.
Salianji teksa ka konfirmur pjesëmarrjen në protestën e 7 korrikut duke theksuar se kjo protestë është forma e duhur e reagimit duke marrë parasysh problemet dhe gjendjen e mjerueshme të vendit.
11:05- Ibrahimaj: Pavarësisht krizës, ekonomia në Shqipëri po vazhdon të rritet
Pavarësisht krizës, ekonomia në Shqipëri po vazhdon të rritet. Kështu ka deklaruar në Kuvend, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, teksa sot diskutohet akti normativ për kompensimin e çmimeve.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ministrja tha se Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në rajon gjatë tre mujorit të parë dhe kjo rritje vazhdon. Sipas saj, rritja nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve.
“Paketa anti-krizë në Shqipëri, 44 miliard lekë. Është diskutuar që vendi ka pasur paketën më të ulët në rajon. Jo. Ju nuk llogarisni mbështetjen për energjinë.
Ju flisni që masat e marra kanë qenë të gabuara. Ndërkohë, sipas INSTAT Shqipëria ka pasur rritjen ekonomike më të madhe në rajon. Ka qenë 6% dhe e shpërndarë në të gjithë sektorët.
Këto shifra nuk janë të lidhura me rritjen e çmimeve, por të rritjes reale. Të dhanë tona për ecurinë e dy mujorit të dytë. Ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet, pavarësisht krizës. Ne po marrim të gjitha masat. Ky është misioni i qeverisë sonë. Ne do të vazhdojmë me këto paketa”, tha ministrja.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka thënë se nëse nuk do të ishte ngritur Bordi i Transparencës, shqiptarët do të kishin çmime më të larta për karburantet nga sa kanë sot.
Kjo deklaratë e ministers u bë nga foltorja e Kuvendit, ku ajo po iu përgjigj pyetjeve për aktin normative për kompensimin e çmimeve për materialet e ndërtimit.
“Ju thoni që ne kemi ngritur borde fashiste a komuniste, nuk di si i quani. Nëse bordet nuk do të ishin ngritur do të kishin çmime më të larta për karburantet se kemi sot. Ne mbështetem shqiptarët që nuk i mund të përballojnë çmimet e rritura të konsumit”, tha Ibrahimaj.
Pas vendimit të fudnit të Bordit të Transparencës, nafta në vend tregtohet me 249 lekë për litër. Ndërsa çmimi i benzinës është 242 lekë për litër dhe ai i gazit 83 lekë.
/abcnews.al/