“Koha e duhur për një fillim të ri”, Christensen emocionon me letrën drejtuar tifozëve: Do më mungoni!

schedule17:45 - 27 Qershor, 2022

schedule 17:45 - 27 Qershor, 2022

Andreas Christensen ka vendosur të largohet nga Chelsea. Qendërmbrojtësi danez u bë pjesë e bluve të Londrës që në vitin 2012, dhe sot pas 10 vitesh ka vendosur të ndajë rrugën me skuadrën angleze.

Një largim që sigurisht është i vështirë, pasi 26-vjeçari ka arritur të fitojë katër trofe me blutë e Londrës: Champions League, Europa League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube.

Christensen ka zgjedhur që të kalojë në “Camp Nou” dhe të mbajë veshur fanellën e Barcelonës, ndërkohë nuk ka harruar të falënderoj gjithë ambientin e klubit anglez, teksa ka emocionuar me një postim në rrjetet sociale.

“Më është dashur të marr një vendim të vështirë në moshën 16 vjeçare për t’u larguar nga Danimarka. Gjithmonë kishte vetëm një zgjedhje për mua, që ishte Chelsea.

Që nga momenti që erdha këtu më bëtë të ndihesha si në shtëpinë time, u jam mirënjohës Jim Fraser dhe Neil Bath, të cilët më përqafuan menjëherë si pjesë e familjes së tyre.

Vitin e kaluar arrita rezultatin më të rëndësishëm si lojtar dhe si ekip, kur ngritëm trofeun e Champions League në Porto. Kur mbërrita, isha një fëmijë me të gjithë shpresën dhe frikën e një lojtari në fillim të karrierës së tij, i jam mirënjohës klubit që realizoi ëndrrën time.

Pasi kalova dhjetë vite fantastike në këtë klub, ndjeva se ishte koha e duhur për një fillim të ri për mua dhe familjen time. Mendërisht, muajt e fundit kanë qenë të vështirë, sepse nuk ishte një vendim i lehtë për t’u larguar nga ky klub dhe këta tifozë.

Nuk jam shumë elokuent me fjalët, kështu që njerëzit nuk e kuptojnë plotësisht vlerën e Chelsea dhe tifozëve për mua. Do të më mungojnë lojtarët, stafi teknik, të gjithë. Urimet më të mira për klubin dhe tifozët”, shkruan lojtari i Danimarkës.

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!