Është shuar masa e sigurimit për të dënuarin Burim Duraku, i akuzuar për veprën penale vrasje me paramendim në bashkëpunim.
Duraku u arrestua më 18 dhjetor 2019 pasi kërkohej nga drejtësia greke.
Në bazë të kërkesës së paraqitur nga mbrojtësi Sokol Tahiraj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pranuar kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit për arsye humbje e fuqisë së paraburgimit për tejkalim të afateve maksimale hetimore nga koha e përcaktuar në bazë te nenit 261 / 1c / të Kodit Procedurës Penale.
Arrestimi
Duraku u arrestua në 2019 dhe në atë kohë konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u kap dhe arrestua në fshatin Morinë.
Ngjarjet për të cilat akuzohej kur u arrestua
Më datë 26.03.2010, në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar kanë hyrë tek banesa e një shtetaseje greke, ndaj të cilës kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe i kanë marrë një sasi monedhash.
Më datë 06.04.2010, në vendin e quajtur Trapezaki Livathi te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D. kanë thyer derën e banesës së një shtetasi grek, ku kanë marrë sende me vlerë.
Më datë 16.04.2010 në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se këta dy shtetas kanë hyrë në banesën e një shtetaseje greke, të cilën e kanë lidhur dhe kërcënuar me thikë dhe pasi i kanë marrë një sasi lekësh, janë larguar duke e lënë me gojë të mbyllur.
Më datë 01.05.2010, në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias të Greqisë, shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke A. V. Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit, e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda. Aty kanë gjetur shtetasen greke A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit vetëngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin vetëngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen. Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara./Abcnews.al/