Marrëveshja bërthamore, Irani dhe BE-ja bien dakord për të rifilluar bisedimet pas vizitës së Borrell

schedule17:08 - 25 Qershor, 2022

schedule 17:08 - 25 Qershor, 2022

Irani dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord gjatë  vizitës së shefit të politikës së Jashtme Josep Borell për të rifilluar bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara që kanë ngecur që nga marsi.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian dhe ai i BE-së Josep Borrell njoftuan gjatë një konference për shtyp të shtunën se kanë rënë dakord që bisedimet indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit për të rivendosur marrëveshjen e tyre bërthamore të vitit 2015 do të rifillojnë brenda disa ditësh.

Amirabdollahian u tha gazetarëve se, për Iranin, ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se mund të gëzojë përfitimet e plota ekonomike që iu premtuan në bazë të marrëveshjes fillestare.

“Çfarëdo çështje që mund të ndikojë negativisht në përfitimet ekonomike të Iranit nuk do të jetë e pëlqyeshme” për Iranin dhe qeverinë e Presidentit Ebrahim Raisi, tha ai.

“Ne shpresojmë, konkretisht, që pala amerikane këtë herë do të angazhohet realisht dhe me drejtësi në veprime të përkushtuara dhe të përgjegjshme drejt arritjes së pikës përfundimtare të marrëveshjes.”

Borrell përshëndeti gjithashtu rifillimin e bisedimeve. Ai tha se do të dëshironte të kthehej në Iran në të ardhmen, me sa duket kur të hiqen sanksionet e SHBA, për të diskutuar më tej “potencialin e lartë” të zgjerimit të lidhjeve tregtare dhe energjetike midis Iranit dhe BE-së.

Bisedimet e rifilluara do të synojnë “zgjidhjen e çështjeve të fundit ende të pazgjidhura”, tha ai në një seri postimesh në Twitter pas konferencës për shtyp, pa dhënë detaje.

Borrell dhe zëvendësi i tij Enrique Mora mbërritën në Teheran vonë të premten dhe takuan Amirabdollahian dhe kryenegociatorin bërthamor Ali Bagheri Kani të shtunën.

Borrell ishte planifikuar gjithashtu të kishte një takim me shefin e sigurisë së Iranit, Ali Shamkhani më vonë të shtunën.

Irani dhe SHBA, të cilat në mënyrë të njëanshme braktisën marrëveshjen në vitin 2018 nën udhëheqjen e Presidentit të atëhershëm Donald Trump dhe vendosën sanksione të ashpra, kishin qenë në një ngërç se si të ringjallnin “Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)”, siç njihet zyrtarisht marrëveshja bërthamore, që nga marsi, shkruan Al Jazeera. 

Amirabdollahian njoftoi javën e kaluar se Irani i ka bërë një propozim të ri SHBA-së për të çuar përpara bisedimet. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Saeed Khatibzadeh nuk dha detaje, por tha se oferta e re u përcoll përmes BE-së dhe dy ministrave të jashtëm që ai nuk i përmendi.

Vizita e Borrell dhe Mora vjen disa ditë pasi ata patën një takim me Robert Malley, të dërguarin special të SHBA-së për Iranin, gjatë të cilit Malley “përsëriti angazhimin e vendosur të SHBA për t’u rikthyer në marrëveshje”, sipas një postimi të Mora në Twitter./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!