Rruga për në Parkun e Apolonisë përmes By pass-it të Fierit nuk ka përfunduar. Bëhet fjalë për vetëm 500 metra. Një tabelë e vënë para kohe, ngatërron turistët të cilët mbetën në mes të rrugës, ndërsa banorët e zonës çdo ditë kthejnë mbrapsht me dhjetëra vizitorë.
Turistët që udhëtojnë nga jugu për të vizituar Parkun e Apolonisë mbeten në mes të rrugës.
Edhe pse dy muaj më parë u promovua nga Ministrja e Infrastrukturës, aksi që duhet të lidhte By pass-in e Fierit me Apoloninë nuk ka përfunduar. Vendosja e kësaj tabele ngatërron turistët.
Vizitorë të shumtë, që ndjekin këtë segment, nëse nuk i orienton ndonjë banor i zonës, nuk dinë nga të shkojnë.
Kështu ndodhi edhe me dy turistë nga Spanja, të cilët zbritën nga makina, në kërkim të rrugës që do t’i çonte drejt Parkut.
“Ne jemi miq kemi ardhur të vizitojmë vendin tuaj. Vizituam Tiranën dhe Beratin. Nuk po gjejmë rrugën për në Apoloni”, thanë ata.
Investimi i fundit i bërë nga Ministria e Infrastrukturës përfundon me një parkim automjetesh.
Me fat janë ata turistë që ndeshin banorë tek rruga e papërfunduar, të cilët i tregojnë rrugicën e pa asfaltuar që ndodhet në një prej lagjeve të fshatit Pojan dhe përmes saj mbërrijnë në Apoloni.
“Nuk di sa turistë i kam drejtuar unë, me qindra. Për mua është një gjë absurde. Vijnë të huajt këtu dhe s’dinë nga të shkojnë. Është absurde, të vijë turisti këtu dhe të ikë më këmbë. I kam kthyer unë dhe i kam çuar më pas tek rruga lart nga Pojani”, thotë ai.
“Autobusat kthehen mbrapsht nga rruga që kanë ardhur se nuk hyjnë dot këtu, se është rrugë dheu e palidhur me By pass-in”, vazhdon ai.
“Thonë që do e bëjnë me teleferik”, shprehen banorët.
Kur nuk ndeshin njeri që t’u tregojë këtë rrugë, kthehen mbrapsht dhe udhëtojnë jo pak por mbi 7 km. Historia me turistë që kthehen pas që s’na nderon aspak, do të vazhdojë për aq kohë sa sinjalistika në By pass-in e Fierit do t’i orientojë ata drejt segmentit që në realitet nuk ka përfunduar. /abcnews.al