Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, elektorati shqiptar bëri diferencën

schedule22:30 - 6 Maj, 2019

schedule 22:30 - 6 Maj, 2019

Elektorati shqiptar luajti një rol kyç në fitoren e Stevo Pendarovskit në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoni. Falë shqiptarëve, kandidati i koalicionit qeverisës mundi të kryesojë me mbi 80 mijë vota më shumë ndaj rivales Gordana Siljanovska, në komunat me shumicë shqiptare.

Ashtu siç pritej, dallimin në zgjedhjet e mbrëmshme e bëri votuesi shqiptar. Siljanovska nuk arriti ta bind komunitetin shqiptar që të votoj për VMRO DPMNE-në, e partinë opozitare nuk e përkrahi asnjë parti shqiptare.

Dallimi mes Siljanovskës dhe Pendarovskit vetëm në komunat ku dominante është popullata shqiptare, ishte 81.848 vota në favor të kandidatit të shumicës. E këtë shumicë, Siljanovska nuk arriti ta mbërrij me fitoret në komunat Maqedonase, ku dallimi mes saj dhe Pendarovskit ishte i vogël.

Vetëm në Tetovë, Çari, Gostivar dhe Saraj, dallimi në të mirë të Pendarovskit ishte 37.767 vota. Pendarovski fitoi bindshëm edhe në Likovë, Strugë, Bogovinë e Vrapçishtë. Siljanovska dallimin më të madh e bëri në Gazi Babë, Veles dhe Kavadar, ku u mund Pendarovski me mbi 3 mijë vota dallim.

Edhe OSBE doli me raportin për raundin e dytë, të cilin e cilësuan si mirë të organizuar, ku qytetarët kishin mundësi që të zgjedhin për kënd do të votojnë lirshëm.

“Procesi zgjedhor gjatë ditës së djeshme ishte mirë i organizuar dhe jo vetëm kjo, por edhe i qetë dhe paqësor. Të dy ditët zgjedhore treguan se sa shumë mund të arrihet kur ka vullnet të punohet nëpërmjet spektrave të ndryshme politike dhe grupeve të ndryshme etnike”, deklaroi Corien Jonker, OSBE/ODIHR.

Përfaqësuesit e OSBE-së thanë që i kanë pranuar ankesat nga opozita dhe po i hetojnë rastet, kurse me disa nga ato po merret edhe Ministria e Punëve të Brendshme./ABC News Albania 24/7